09 maggio 2012

Bjeshkët e Istogut Atraksione turistike malor presin investime nga shteti


Bjeshkët e Istogut Atraksione turistike malor presin investime nga shteti



Istog, 7 maj- Me gjithë mungesën e infrastrukturës së përgjithshme për zhvillim të turizmit malor, bukuritë natyrore të Bjeshkëve të Komunës së Istogut janë duke u bërë gjithnjë e më shumë joshëse për vizitorët vendas, me theks të veçantë gjatë ditëve të vikendit.

Për këtë qëllim qe formuar edhe një ekip koordinues i turizmit në Istog, por për mungesë mjetesh financiare ka arritur të bëjë vetëm identifikimin e produkteve turistike dhe hartimin e një projekti për zhvillim të turizmit malor, por diçka konkrete nuk është bërë më shumë.

Beqir Metaj, koordinues i projektit për zhvillim turistik për Istogun në Rajonin e Dukagjinit pohon se ky ekip ka vlerësuar se, përpos bujqësisë, turizmi duhet të jetë prioritet për zhvillimin e përgjithshëm të Istogut, duke përfshirë këtu edhe turizmin malor, ku bjeshkët e Istogut janë të pasura me bukuri atraktive, ndërsa edhe më atraktive këto bjeshkë i bëjnë sidomos flora dhe fauna.

“Prioriteti i turizmit malor bazohet në peizazhet masive malore, në natyrën e ruajtur, sidomos në florën dhe faunën, pastaj në lartësinë malore mbi 2155 metra me kushte të përshtatshme klimatike për zhvillimin e turizmit veror dhe dimëror, si dhe në pasurinë e shumëllojshme etnike dhe kulturore në rrafsh, etj.”, thekson ai.

Sipas tij, zonat më të njohura turistike në bjeshkët e Istogut janë: Lokaliteti i Lugut të Butë (Koreniku, Çorovoda, Oshlaku, Gurrat e Bardha, Lugu i Zajmit) dhe lokaliteti i Moknës (Livadhet e Istogut,
 Bajsha, Radusha, Mokna, Kosharishtja, etj.), lokalitete këto që janë shumë të pasura me trashëgimi natyrore.

“Bjeshkët e Komunës sonë kanë bukuri të rralla natyrore, të cilat edhe me gjithë mungesën e infrastrukturës së përgjithshme për zhvillim të turizmit malor, janë të mbushura me plotë vizitorë gjatë vikendeve“, është shprehur arsimtari i kulturës fizike, Arton Haxhiaj.

Ai pohon se për shfrytëzimin e pamjeve atraktive të këtyre bjeshkëve është investuar shumë pak, ndërsa kërkon që Komuna dhe Qeveria e Kosovës, të investojnë në krijimin e kushteve për zhvillim të turizmit malor edhe për këto bjeshkë, siç i quan ai, margaritarë të Dukagjinit. “Në këto bjeshkë shumë familje kanë ndërtuar pushimore, por ka mungesë uji, të hoteleve dhe të terreneve ku mund do të argëtoheshin vizitorët”, thotë ai, duke shpresuar se për ndërtim të infrastrukturës së përgjithshme komuna bashkë me Qeverinë e vendit nuk do të hezitojnë të investojnë, sepse kjo është në dobi të qytetarëve.

Drejtori komunal i Planifikimit Hapësinor, Jonuz Kabashi, thotë se në këtë anë kanë investuar deri tash rreth 100 mijë euro në infrastrukturën rrugore për këto bjeshkë, ndërsa ka premtuar se kjo drejtori do t’i vazhdojë investimet edhe këtë vit në zgjerimin e infrastrukturës rrugore në këto bjeshkë. “Komuna ka investuar vetëm gjatë vitit të kaluar rreth 100 mijë euro në zgjerimin e rrugëve për në Bjeshkë të Istogut, duke ndihmuar këtu me një sasi mjetesh edhe nga vetë qytetarët, ndërsa mendojmë se edhe në të ardhmen të investojmë në infrastrukturë, sepse zhvillimi i turizmit malor është një ndër prioritetet tona”, ka theksuar ai.

Ai shprehet i vetëdijshëm se asfaltimi i rrugës për në Livadhet e Istogut dhe i asaj për në Lug të Butë - Bjeshkë e Shoshanit do të krijonin kushte më të mira për vizitorë, por për këtë gjë kërkohen mjete financiare shumë të mëdha që nuk ka mundësi absolute t’i sigurojë komuna, ndërsa për këtë gjë kërkohet ndihma e Qeverisë së vendit.

Atraktiviteti i këtyre bjeshkëve për zhvillim të turizmit malor ka zgjuar interesimin edhe të organizatave joqeveritare.

 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate