09 maggio 2012

Himarë, pritet një sezon turistik 2012 me pushues më të shumtë

Himarë – Pavarësisht motit ende te pastabilizuar, përgatitjet për sezonin e ri turistik në bregdetin e Himarës kanë filluar, ndërsa atmosfera e verës dhe të  gjithë “aksesorëve” që lidhen me të, këto ditë e përjeton ngado në hapësirën e perlës së turizmit shqiptar.
Drejtuesit e Bashkisë së Himarës janë optimistë se pritshmëria e pushuesve këtë sezon, do të jetë shumë më e lartë krahasuar me vitet e tjera.
Përgjatë bregdetit që administrohet nga kjo njësi e qeverisjes vendore, nga Palasa, deri në Qeparo, janë në dispozicion rreth 3000 shtretër, që ofrojnë hotelet dhe subjekte të tjera të ngjashme me to, të cilat janë të regjistruara në Bashki dhe paguajnë taksa.
Këtë vit synohet diçka ndryshe, diçka që duhet t’i japë një impakt më të plotë dhe më të gjerë zhvillimit të turizmit. Janë resurse të jashtëzakonshme në këtë drejtim, që kanë fjetur deri tani dhe nuk janë eksploruar. Drejtuesit e rinj të bashkisë, por edhe mjaft operatorë në këtë bregdet të bukur dhe të jashtëzakonshëm, mendojnë se, në shumë drejtime, turizmi është zhvilluar në mënyrë spontane, rrjedhojë dhe për meritë të vetë operatorëve turistikë.
Çelja zyrtare e sezonit turistik, një festë e madhe popullore
Të shtunën dhe të dielën e kësaj jave, që përkojnë me datat 12 dhe 13 maj, Bashkia e Himarës ka planifikuar të çelë zyrtarisht sezonin turistik veror 2012.
Nënkryetari i Bashkisë, Irakli Gjiçali, thotë se kjo ngjarje do të jetë një festë e vërtetë popullore, jo vetëm dhe thjesht për shkak të pjesëmarrjes, por të dimensioneve dhe cilësisë së organizimit.
Gjiçali nuk jep shumë detaje në këtë drejtim, duke u shprehur me dashamirësi se kërkon që festa të jetë një surprizë edhe për ne gazetarët. “Jeni të ftuar atë ditë për të parë nga afër se çfarë përmasash do të ketë kjo festë”, na fton ai, ndërkohë që thekson se, në këto dy ditë në Himarë do të ftohen të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë të qeverisë, të biznesit, persona publikë.
Sipas tij, do të synohet të evidentohen resurset e vërteta të turizmit në Himarë, do të evokohet tradita në gatime, në veshje dhe në artin popullor. Festa do të shtrihet në një gjeografi të gjerë, ndërkohë që do të shfrytëzohet edhe hapësira detare për të krijuar një larmi kombinimesh që evidentojnë bukuritë natyrore.
“Do të jetë një organizim i shkëlqyer, që nuk është bërë asnjëherë më parë në Himarë në funksion të turizmit”, thekson Gjiçali, për të cilin impakti i kësaj dite duhet të jetë i plotë.
Promocioni, një element i pashfrytëzuar
Një nga gjërat që i kanë munguar zhvillimit të turizmit në bregdetin e Himarës, sipas nënkryetarit të Bashkisë, Irakli Gjiçali, është promocioni. “Për një pjesë të madhe të pushuesve nga zona të ndryshme të vendit, Himara turistike është ende ajo e viteve ’70-të, apo ’80-të, sepse ka munguar plotësisht promovimi i vlerave të ridimensionuara të turizmit këtu”, thotë Gjiçali. Ai shton se Himara turistike tashmë e ndryshuar, nuk është ajo e viteve të shkuara, kur pushuesit vinin merrnin nga një dhomë për 10-15 ditë dhe shfrytëzonin bregdetin për të kaluar pushimet.
“Himara është krejtësisht e ndryshme, me një strukturë turistike të zhvilluar, me hotele e lokale, me mundësi argëtimi të larmishme, që ofrojnë standarde bashkëkohore. Por këto nuk janë bërë të njohura, sepse nuk është bërë pothuajse asgjë në këtë drejtim. Spontaniteti promocional duhet të ndryshojë dhe duhet të zëvendësohet nga një strategji e detajuar.
“Këtë synojmë të bëjmë dhe do ta bëjmë”, shton nënkryetari i Bashkisë, i cili shprehet se bashkia po punon në këtë drejtim, duke u vënë drejtpërdrejt në rolin që duhet, për t’i paraprirë zhvillimit të turizmit duke shfrytëzuar të gjitha resurset natyrore dhe njerëzore në këtë drejtim.
Mjedisi, një faktor i rëndësishëm
Por, për zhvillimin e turizmit, kërkohen edhe standarde mjedisore. Në këtë fushë, përpjekjet janë përqendruar në tre drejtime kryesore. Së pari, po punohet për pastrimin e mbetjeve të ndërtimeve pa leje që u prishën pak javë më parë. Sipas drejtuesve të bashkisë, ndërtimet e mësipërme, cënonin rëndë standardet mjedisore. Ishin ndërtuar në vijën ranore dhe nuk përputheshin aspak me rregullat bazë të urbanistikës.
Në këto kushte, këshilli i bashkisë identifikoi rreth 40 ndërtime të kësaj kategorie, të cilat u rrafshuan në bashkëpunim me Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe brenda kësaj jave, do të pastrohen të gjitha mbetjet, duke angazhuar për këtë qëllim mjetet e Bashkisë.
Nga ana tjetër, në bashkëpunim me firmën që ka sipërmarrjen e pastrimit, është bërë një riorganizim i gjeografisë së përfshirë në aktivitetin e saj dhe grafiku i ndërhyrjes në pikun e sezonit, duke shtuar edhe numrin e koshave, apo konteinereve, apo ritmin e punës së largimit të mbetjeve.
Pritshmëria e pushuesve, më e madhe se vitet e tjera
Duke analizuar masat që ka marrë dhe ato që do të merren e do të aplikohen, drejtuesit e Bashkisë së Himarës janë optimistë se pritshmëria e pushuesve do të jetë shumë më e lartë krahasuar me vitet e tjera.
Përgjatë bregdetit që administrohet nga kjo njësi e qeverisjes vendore, që nis nga Palasa e vazhdon deri në Qeparo, janë në dispozicion rreth 3000 shtretër që ofrohen nga hotelet dhe subjekte të tjera të ngjashme të cilat janë të regjistruara në Bashki dhe paguajnë taksa.
Ndërkohë, 4 apo 5 herë më shumë, përfshihen në atë që emërtohet sektori i turizmit familjar, por të paregjistruara. Janë rreth 15000 shtretër, që përballojnë një kapacitet të konsiderueshëm pushuesish, pa përfshirë ata ditorë, që janë po aq të shumtë.
Me këto të dhëna, si dhe me standardet e përmirësuara ndjeshëm të infrastrukturës rrugore, drejtuesit e Bashkisë së Himarës, mendojnë se numri i pushuesve do të shënojë një rritje të ndjeshme.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate