03 maggio 2012

Perlat e bregdetit të Vlorës....

Vlora

Vlora është një prej qyteteve më të mëdhenj te Shqipërisë, si për hapësirë, popullsi, ashtu edhe për histori dhe lashtësi. Distanca nga kryeqyteti i vendit Tirana, është rreth 130 km dhe nga aeroporti ndërkombëtar Nënë Tereza 120 km. Njëkohësisht ka portin e dytë më të madh të vendit. Ky qytet monumental daton në antikitet që në shek. VI (B.C) me emrin “Aulona”. Në qendër të qytetit, pranë sheshit të Flamurit janë zbuluar fragmente të mureve masive rrethuese të Aulonës. Në vitin 1081 ky qytet ra nën sundimin Normand. Në shekullin XIV u përshfi në “Mbretërinë e Arbërisë” nën drejtimin e Balshajve (princa shqiptarë). Në vitin 1417 u pushtua nga osmanët. Ne 1812 qyteti ra në dorë të Ali Pashë Tepelenës dhe një shekull më vonë në 28 Nëntor 1912 u bë kryeqyteti i parë i Shqipërisë së Pavarur, me qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Për të përkujtuar këtë ngjarje në vitin 1972 është përuruar “Monumenti i Pavarësisë”, një kompleks skulpturor 17 metra i lartë. Objekte të tjera me interes në qytetin e Vlorës janë muzeu i “Pavarësisë” (i ngritur në ish selinë e qeverisë së parë), ai i “Historisë” dhe “Etnografisë”.
Ndër objektet religjioze vlen të përmendet Xhamia e Muradies e ndërtuar në vitin 1542 nga kryearkitekti i Perandorisë Otomane Mimar Sinani, i cili ishte me origjinë nga kjo krahinë. Mimar Sinani është i njohur për një sërë veprash në Turqi e ndër më të shquarat mbetet Xhamia madhështore e Sulejmanies në Stamboll. Në një kodër dominante mbi qytet gjendet pika e religjioze e “Kuzum Babait” objekt i sektit bektashi. Prej këndej ofrohet një pamje e bukur dhe madhështore drejt qytetit të Vlorës, gadishullit të Karaburunit, ishullit të Sazanit dhe lagunës së Nartës. Këtu ndodhen gjithashtu bare dhe restorante të këndshme.

Narta

Ne veri te qytetit te Vlorës ndodhet laguna e Nartës, e cila është laguna e dytë për nga madhësia në Shqipëri, duke zënë një sipërfaqe prej 4.180 hektarë. Laguna e Nartës përben një eko–sistem te rëndësishëm natyror. Në të gjenden 195 lloje shpendësh, ndërsa kordoni që ndan lagunën nga deti është i mbuluar me pyje mesdhetare. Kjo është një pikë mjaft e mirë për observimin e shpendëve ujore si dhe për peshkimin. Ujërat e lagunës janë të pasura me peshk, sidomos ngjala dhe levrek. Ne jug të lagunës ndodhet fshati i Nartës, i ngritur buzë ujërave të lagunës. I rrethuar nga kodra të buta të mbuluara me vreshta nga të cilat prodhohet një prej verërave artizanale me cilësore të Shqipërisë. Kjo është një pikë e favorshme për turizmin e “tureve të verës”. Në lagunë ndodhet edhe fshati i Zvërnecit, në ishullin pranë të cilit ndodhet Kisha e Shën Mërisë, e stilit bizantin. Në çdo 15 gusht, me rastin e ditëlindjes se Shën Mërisë organizohet një pelegrinazh i madh dhe banoret kalojnë natën në sheshin përpara kishës. Laguna mbyllet me kepin e Triportit, i cili se bashku me kodrën e pyllëzuar përbën një kompleks natyror mjaft të bukur turistik. Krahas kësaj zbulimet në Triport kanë nxjerrë gjurmët e një vendbanimi të shek. VII (B.C.)

Rradhimë

Duke vazhduar turin ketë radhe nga Vlora në drejtim të jugut, ju do të keni mundësinë të njiheni dhe të shijoni këtë pjesë panoramike të ujërave të gjirit të Vlorës. Mbasi kaloni tunelin si pikë përcaktuese e Ujit të Ftohtë (ka marrë këtë emër nga një burim malor që rrjedh në det), shfaqet zona turistike e Jonufrës me plazhe të vegjël shkëmborë të cilët shquhen për cilësinë e lartë të pastërtisë së ujërave detare. Në vazhdim shtrihet zona e Radhimës që zgjatet për kilometra të tëra deri ne përroin e Dukatit pranë qytetit të vogël të Orikumit. Plazhet e Rradhimës ofrojnë një kolorit mjaft të bukur në kontrast midis ujërave blu të detit dhe gjelbërimit të kodrave me bimësi mesdhetare, si plantacionet me ullinj dhe agrume. Krahas notit dhe aktiviteteve të tjera të ujit, gjiri i Vlorës paraqet interes të veçantë për ushtrimin e zhytjeve. Këtu gjenden anije të mbytura siç është anija Italiane “Po”, e fundosur ne vitin 1941 gjatë Luftës italo – greke. Zonë me interes për zhytje është gjithashtu edhe plazhi i Zhironit, për observimin e algave të gjelbërta e të zeza.

Orikumi

Në jug të gjirit të Vlorës ndodhet qyteti i vogël i Orikumit pranë të cilit ndodhet një port jahtesh ku mund të parkohen deri në 650 të tillë. Orikumi ka qenë një prej qyteteve më të rëndësishme antik në territorin e sotëm të Shqipërisë. Ai është themeluar prej kolonëve nga ishulli grek i Eubeas gjatë kthimit të tyre nga Lufta e Trojës. Duke gëzuar një pozitë strategjike ai ka qenë porti kryesor i fisit Ilir të Amantëve dhe ka luajtur rol në luftërat civile midis Cezarit dhe Pompeut. Qe prej vitit 2005 Orikumi është shpallur park arkeologjik. Objekti më i rëndësishëm për vizitoret është teatri antik i Orikumit me 400 – 500 vende për spektatorët. Këtu gjenden gjithashtu fragmente muresh dhe rrugësh. Një objekt tjetër interesant në këtë territor është Kisha e Marmiroit, e cila i përket periudhës së hershme bizantine të shek. 13. Në periudhën bizantine porti i vogël i Orikumit është njohur me emrin “Jeriko” dhe mendohet se kjo lidhet me praninë e komunitetit çifut në gjirin e Vlorës. Në kohën e sundimit osman, Orikumi u quajt Pasha Liman. Duhet përmendur se ai ka qenë porti më i vjetër në territorin e sotëm të Shqipërisë që prej periudhës romake. Orikumi është një baze e mirë për të eksploruar gadishullin e Karaburunit i cili mbyll nga krahu perëndimor gjirin e Vlorës. Gadishulli i Karaburunit është me i madhi i bregdetit shqiptar me gjatësi 16 km dhe gjerësi maksimale 4,5 km. Bregu perëndimor i Karaburunit është spektakolar me gjire dhe plazhe të vogla e të izoluara, me ujëra të thella dhe shumë të pastër. Në veri të gadishullit gjendet shpella detare e Haxhi Alisë (lundërtar ulqinak i shek. XVII). Kjo është shpella më e madhe detare e Shqipërisë. Plazhet kryesore të Karaburunit janë ato të Dafinës dhe Grames. Këto janë plazhe të izoluara të cilat mund të arrihen vetëm me rrugë detare. Pranë plazhit të Grames gjendet shpella e Skllevërve, e cila në kohën antike shfrytëzohej për nxjerrjen e gurit nga ana e skllevërve. Në faqet e plazhit të Grames shfaqen gjithashtu mbishkrime antike, të cilat mendohet se janë shkruar nga lundërtarët e ndryshëm që kane kaluar aty. Kodrat e gadishulli të Karaburunit janë një zonë e përshtatshme për të ushtruar gjuetinë e derrit të egër.

Amantia

Ne krahun lindor të rrethit të Vlorës, pikërisht pranë fshatit Plloçe ndodhen rrënojat e qytetit antik te Amantias, e cila që prej vitit 2005 është shpallur park Arkeologjik. Amantia ishte kryeqyteti i fisi Ilir të Amantëve. Ajo u themelua ne shek. V (B.C.), dhe zinte një sipërfaqe prej 13 hektarësh. Ndër objektet më interesante të zbuluara për vizitorin është stadiumi i Amantias, 60 metra i gjatë dhe 12,5 metra i gjerë. Duhet theksuar se shumë gjetje dhe objekte të zbuluara në Amantia gjenden të ekspozuara në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Llogara (Parku Kombëtar i Llogarasë)

Parku Kombëtar i Llogarasë ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në një distancë prej afro 40 km. Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha në malin e Llogarasë, në lartësitë 470 metra – 2018 metra mbi nivelin e detit. Në pjesën ku kalon rruga nacionale Vlorë – Sarandë, të quajtur edhe qafa e Llogarasë, ky park shpalos tërë magjinë e tij në një lartësi 1025 metra. Bimët medicinale dhe dekorative ndërthuren me masivët e drurëve halorë, si pisha dhe bredhi. Fauna e parkut përbëhet nga kafshë, si ujku, kaprolli, macja e egër, dhelpra, lepuri i egër, ketri, si dhe shpendë e zvarranikë të shumëllojshëm. Përmbi të gjitha mrekullinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare. Për 20 minuta, nëpërmjet rrugës automobilistike mund të shijosh plazhet e rivierës shqiptare, që fillojnë me Palasën. Parku i Llogarasë ofron akomodim, restorante, bare me shërbim bashkëkohor si dhe aktivitete të ndryshme në formën e ekskursioneve, trekking (nëpër shtigjet e parkut). Gjithashtu është një pikë mjaft e përshtatshme për ushtrimin e sporteve ajrore (e njohur edhe për takimet ndërkombëtare), si hedhje me parashutë, fluturime me delta plan etj. Kjo lidhet me lartësinë dhe drejtimin e erërave, të cilat në qafën e Llogarasë janë mjaft të favorshme.

Palasa

Pasi kalon qafën e Llogarasë rruga e së cilës daton e hapur që në kohën e Pompeit, zbret në plazhet e Rivierës Shqiptare. E tërë vija bregdetare shtrihet me dhjetëra kilometra deri në gjirin e Sarandës dhe shpalos tërë mrekullitë e florës dhe faunës së tokës e detit. Kjo zonë e ngrohtë mesdhetare ka 300 ditë me diell dhe temperatura mesatare e Korrikut është 25 gradë C. Serinë e hap plazhi i Dhraleos (Palasë) me një gjatësi rreth 1,5 km, që shquhet për kthjelltësinë e kaltërsinë e ujit. Pikërisht në këtë plazh të emërtuar në atë kohë Palestra, ndaloi Pompei me ushtritë e tij. Në veri të plazhit, në drejtim të gadishullit të Karaburunit, ndodhet porti dhe gurorja e periudhës romake e quajtur Grama. Në të duken qartë mbetjet arkeologjike të asaj periudhe.

Dhërmiu

Dhërmiu është një prej pikave më të rëndësishme turistike të Rivierës. Ai shquhet për plazhet me ujera të kthjellëta, zallore, të vegjël e intimë. Është një zonë e pëlqyer si nga familjarët ashtu edhe të rinjtë. Plazhet kryesore të Dhërmiut janë Jaliksari, Shkambo dhe Gjipea. Kjo e fundit shquhet për bukuri të rallë, pasi ndodhet rrëzë një kanioni rreth 70 metra të lartë. Pranë Dhërmiut ndodhet edhe shpella legjendare e “Piratëve”. Veprimtari kryesore që zhvillohen janë noti, sportet ujore si dhe zhytjet. Në Dhërmi gjenden një rrjet hotelesh, restorantesh, disco, e pub-esh. Krahas tyre kjo zonë është e njohur edhe për “turizmin familjar” nëpërmjet dhomave me qëra si dhe ofrimit të gatimeve tradicionale të zonës, kryesisht të produkteve të peshkut. Dhërmiu është një fshat piktoresk dhe atmosferë të veçantë. Ai dëshmohet si një vendbanim i vjetër që në vitet 49-48 (B.C.) Në të gjenden manastiri i Shën Mërisë, Kisha e Shën Todhrit, Kisha e Ipapandisë, rrënojat e Kishës së Shën Stefanit dhe kisha e Shën Mitrit ku ruhen afrekse të shekujve XII – XIV. Krahas tyre në Dhërmi ndodhet edhe lagjia karakteristike ku gjenden monumente të tilla si Kulla e Vretos, ajo e fisit Kumi, si dhe banesa e Strati Zhupes. Dhërmiu është vendlindja e Petro Markos, njërit prej personaliteteve të rëndësishme të letrave shqipe të shek XX. Një pjesë e veprave të tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Vunoi

8 km më në jug të Dhërmiut gjendet fshati i Vunoit, i mirënjohur në zonë për traditat shqiptare dhe patriotizmin. Prej këtej merret drejtimi për në plazhin e mrekullueshëm të Jalës me gjire të mrekullueshme dhe shumë të veçanta nga pjesa tjetër e rivierës. Vunoi është një fshat tipik i rivierës shqiptare, ndërtuar në kodër përballë detit. Këtu gjenden kisha të vjetra si ato të Shën Spiridhonit e ndërtuar në 1778 dhe ajo e Mesodhisë me piktura të vitit 1783. Krahas tyre gjenden objekte të tilla arkitekturore si rrënojat e banesës së Odise Kasnecit dhe banesa kullë e Shane Kotes.

Himara

Në vazhdim të turit tonë drejt jugut, shfaqet qyteti i vogël i Himarës, e cila është qendra administrative e bregdetit të sipërm Jonian. Ajo përbëhet nga dy lagje, Himara e vjetër e ndërtuar lart ne kodër dhe Himara e re në gjirin e Spilesë. Plazhet që përbejnë Himarën janë Spilea, Llamani, Potami dhe Livadhet. Të gjithë janë plazhe zallore, me ujëra të thellë dhe të kthjelltë. Himara gjallërohet shumë nga turistë të ardhur në stinën e verës ku krahas hoteleve vend të rëndësishëm zë turizmi familjar.
Himara daton si një vendbanim i lashtë dhe qytet i fisit Ilir të Kaonëve. Ajo dëshmohet me këtë emër “Himera” qe ne shek. e V (B.C.) Emërtimi “Himera” është me origjinë pellazge, e një fisi para –helen. Emërtimi “Himera” gjithashtu gjendet edhe në bregun verior te ishullit të Sicilisë, i cili në kohët antike ka qenë gjithashtu i populluar nga fise me origjinë pellazge. Në Himarë gjenden objekte të tilla si Kisha e Shën Mërisë se Athalit, Kisha e Kasiopise, Kisha e Gjithshenjtorëve, rrënojat e Kishës së Shën Ndreut dhe banesa monument kulture e Lilo Llazarit. Mjaft interesante paraqitet Himara e vjetër.
Një objekt mjaft interesant për tu vizituar është pa dyshim Kalaja e Ali Pashait, e ndërtuar në një pozicion mjaft tërheqës mbi një gadishull të vogël në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos (i njohur në antikitet me emrin Gjiri i Panoramës). Kalaja ka trajtë tre këndore dhe mure me lartësi 20 metra. Mendohet se këtë kala, e cila kontrollonte rrugët detare, Ali Pasha ia ka dedikuar të shoqes, Vasiliqisë. Prej bedenave të kalasë dallohet edhe gjiri ku mendohej se lahej Vasiliqia. Gadishulli dhe gjiri i Porto Palermos është i veshur me shkurre të gjelbëruara mesdhetare dhe kontraston bukur me ujërat e kaltër të Detit Jon. Supozohet se kjo kala është ngritur mbi rrënojat e një kalaje të periudhës antike.

Borshi

Fshati i Borshit ndodhet disa qindra metra larg nga bregu i detit dhe rreth 20 minuta largësi nga Himara. Plazhi i tij është më i madhi në tërë rivierën shqiptare me rreth 6 km gjatësi, ujë të kthjellët me zallishte. Në tërë gjatësinë e plazhit janë ndërtuar hotele që ofrojnë turizmin familjar dhe lokale, bare, disco, restorante të shumëllojshme. Mikpritja e borshiotëve dhe tradita e tyre e gatimit të mishit të qengjit në hell është një karakteristikë e veçantë.

Qeparoi

Pranë gjirit të Porto Palermos gjendet fshati i Qeparoit i cili ka plazhin e tij ku bien në sy bunkerët e periudhës së komunizmit, të cilët janë pikturuar në ngjyra të shumta dhe kanë ngelur si relike të së shkuarës së errët. Qeparoi është i njohur për ‘turizmin familjar”. Me interes të veçantë paraqitet Qeparoi i vjetër i ndërtuar në kodër. Në fshat gjenden objekte të tilla si kullat tre katëshe të Ali Pashës, Manastiri i Shën Dhimitrit, banesa e Minella Gjikës etj.

Lukova

Fshati i fundit në tërë gjatësinë bregdetare të Rivierës është Lukova, e shquar për brezaret me agrume dhe ullinj. Rreth 2 km largësi, ndodhet plazhi i famshëm i Bunecit me përroin e mrekullueshëm të ujit të kulluar që derdhet në Detin Jon. Në drejtimin jugor të plazheve të Lukovës, drejt gjirit të Kakomesë shtrihen për kilometra të tëra pllakat karakteristike prej stralli të bardhë verbues. Këto pllaka shkëmbore bien pjerrtas në det duke formuar vende-vende shpella të vogla dhe të mëdha nënujore me interes për të apasionuarit e eksplorimit.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate