11 maggio 2012

Projekti i vëzhgimit intensiv arkeologjik KANALI I ÇUKËS – BUTRINT

Projekti i vëzhgimit intensiv arkeologjik KANALI I ÇUKËS – BUTRINT

Vëzhgimi intensiv arkeologjik përshkoi 13,500 Km të gjurmës së rrugës duke ndjekur piketimet e realizuara nga firma e kontraktuar, në një gjerësi prej 20 m në të dyja anët e aksit të rrugës përmes dy skuadrave prej 5 specialistësh nga institucionet përkatëse (Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, Instituti i Arkeologjisë, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Sarandë, Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Butrint).
Gjithë hapësira e vrojtuar u nda në trakte, që variojnë nga 50 m në 370 m gjatësia e të cilëve ndryshonte në varësi të terrenit dhe karakteristikave të tij. Përjashtim përbën trakti që kalon përmes zonës së urbanizuar të Ksamilit prej 8,3/8,00 km deri në 10,3/10,3 km, pra 2 km (2,000 m) të segmentit rrugor u konsiderua trakt i pakalueshëm. Përmes GPS u morën pikat e aksit të rrugës (sipas piketimit të zbatuesve dhe aksi i rrugës ekzistuese aty ku këto piketime mungonin), ekstremitetet e trakteve, si dhe pikat e nxehta që përfaqësonin përqendrim gjetjesh, struktura dhe monumente. Në përfundim të fazës së parë të projektit, atij në terren, hedhja e të gjitha pikave të matura në hartë bëri të mundur paraqitjen grafike të trakteve të përshkuara, aksit të rrugës si dhe siteve të identifikuara bazuar në përqendrimin e gjetjeve, me një gabueshmëri ±5m në Google Earth.
Gjetjet
Fragmentet e gjetura të qeramikës, tjegullave dhe tullave janë kryesisht të përmasave të vogla dhe të dëmtuara nga faktorët atmosferikë. Shumica e fragmenteve të qeramikës (vegjë dhe parete) janë pjesë të enëve të transportit (amfora). Gjetjet i përkasin periudhës Klasike, Helenistike, Romake, Romake të Vonë dhe Antikitetit të Vonë.
Në kategorinë e gjetjeve të tjera u identifikua një monedhë e Viktor Emanuelit II (1861 – 1878).
Gjatë këtij vëzhgimi arkeologjik u identifikuan struktura muresh që mund të lidhen me banesa, elementë varresh, si dhe dëmtime që lidhen me punime të mëparshme inxhinierike.
PërfundimeSipas projektit të dorëzuar pranë Sekretarisë së Teknikës të KKA dhe vëzhgimit në terren të piketimeve të realizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, u vu re se projekti i rrugës së re do të zgjerohet 3 – 4 m në të djathtë të aksit që përkon me sipërfaqen e përshkuar nga grupi B, zonë shkëmbore dhe me pisha, prej Kanalit të Çukës deri në Qafën e Ksamilit. Për këtë arsye, zgjerimi i rrugës paraqet rrezikshmëri në traktin (B 26) që përkon me Murin e Demës dhe ndodhet në skaj të rrugës ekzistuese. Zgjerimi i mëtejshëm i rrugës në krahun e djathtë do të dëmtonte rëndë këtë monument. Për këtë arsye, është e nevojshme gjetja e një zgjidhje të përshtatshme për të gjitha palët.
Pikërisht në traktin (A 35), që përkon me Murin e Demës, në shtirjen e këtij të fundit në krahun e majtë të rrugës, duke zbritur për në Liqenin e Butrintit, u identifikuan dëmtime të murit, si dhe gjurmë të një strukture të papërcaktuar (portë hyrëse?) e përbërë prej blloqesh guri të punuar kuadratikë in situ dhe të shpërndarë në rrugën e ujësjellësit. Këto dëmtime duket se janë bërë gjatë punimeve për hapjen e ujësjellësit të Ksamilit. Për këtë pikë Agjencia e Shërbimit Arkeologjik sugjeron gërmim shpëtimi për të kuptuar më shumë rreth funksionit të kësaj strukture.
Tepër problematike paraqitet gjendja në traktet A 57 – 58 dhe B 54, ku sipas projektit dhe piketimeve, rruga zgjerohet në të majtë duke prerë faqen shkëmbore. Trakti A 57 mbyllet me Kullën e Vrojtimit, e cila ndodhet mbi një masiv shkëmbor ku dallohet një piketë aksi me shënimin +4 m në drejtim të kullës. Kulla mund të pësojë dëmtim nga punimet për zgjerimin e rrugës në të majtë aksit. Në traktin në vazhdim A 58, u identifikuan struktura, të cilat mund t’i përkasin banesave apo varreve, por që me zgjerimin e rrugës në këtë drejtim, zhduken plotësisht. Gjatë fazës së zbatimit të projektit është e domosdoshme prania e arkeologëve në sitet ku gjatë vëzhgimit intensiv arkeologjik janë vërejtur përqëndrime qeramike dhe struktura.
Pas verifikimeve të bëra në terren, u identifikuan katër zona me potencial të emërtuara site (S001, S002, S003, S004). Në sitin S001 përfshihen një linjë muri (A 32/33), gjurmët e një banese (B 24), Muri i Demës dhe struktura e dëmtuar nga ujësjellësi i Ksamilit. Në sitin S002 përfshihet trakti (A 50, B 43), që paraqet përqëndrim qeramike; siti S003 përkufizon dy traktet (A 52/53) sërisht me përqëndrim qeramike dhe siti i fundit, S004 përfshin Kullën e Vrojtimit dhe strukturat e mureve (A 57/58, B 54). Bazuar në raportin e mësipërm dhe vëzhgimin në terren Agjencia e Shërbimit Arkeologjik kërkon të plotësohen këto kërkesa në projekt.
Kërkesat që duhet të plotësojë projekti
1.Zona nga KM 0+00 – KM 4+300 është zonë e lirë për kryerjen e punimeve në përputhje me projektin e paraqitur, në prezencën e detyrueshme të ekspertëve arkeologë.
2.Zona nga KM ≈ 4+360 (në kryqëzim të rrugës së Manastirit të Shën Gjergjit).
Nuk do të kryhen punime me karakter ndërtimi para se të kryhet gërmimi arkeologjik i shpëtimit. Vetëm pas kësaj do të shikohet mundësia e rivlerësimit të rakordimeve të këtij kryqëzimi.
3.Zona nga KM ≈ 4+595 (Muri i Demës).
Të eliminohet zgjerimi krejtësisht në gërmim,  dhe duke shfrytëzuar gjurmën egzistuese dhe të bëhet në mbushje. Në zonën e intersektimit me Murin e Demës për një hapësirë prej 10 ml, do të lihet krejtësisht e lirë pamja e murit duke realizuar kalim me gjysëm estakadë.
Në total zona që kërkon këtë ndërhyrje në projekt shtrihet nga ≈ KM 4+500 – ≈ KM 4+720 me qëllim që të ruhen paramentrat e projektit të rrugës.
4.Zona nga KM 4+800 – KM 10+300 është zonë e lirë për kryerjen e punimeve në përputhje me projektin e paraqitur, në prezencën e detyrueshme të ekspertëve arkeologë.
5.Zona nga KM 10+300 – KM 12+100 (kufiri hyrës në Parkun Kombëtar Butrint) është zonë e lirë për kryerjen e punimeve në përputhje me projektin e paraqitur, në prezencën e detyrueshme të ekspertëve arkeologë.
6.Zona nga KM ≈ 12+100 – KM 13+440, për shkak të pontencialit të lartë arkeologjik (ku përfshihen: varreza, kulla e vrojtimit, linja muresh në distanca të ndryshme përgjatë gjatësisë së rrugës ekzistuese).
Projekti kërkon një rishikim të plotë duke patur parasysh kërkesat si vijojnë:
a)Seksioni tërthor tip i rrugës të jetë pjesa kaluese 5.0 m (2X2.50 m) e asfaltuar, dy kuneta betoni njëra nga ana e sipërme dhe tjetra nga ana e poshtme me gjerësi 0.50 m secila dhe në krahun e djathtë me trotuar me gjerësi 1.20 m i shoqëruar në të gjithë gjatësinë me parmak.
b)Rruga të ndjekë kryesisht gjurmën ekzistuese duke eleminuar gërmimet në krahun e sipërm (majtas).
c)Në këtë zonë rruga të pajiset me ndriçim
d)Në zonën KM 12+100 të projektohet një sipërfaqe parkingu i asfaltuar për autobusë, për të shmangur problemet me trafikun si rezultat i zvogëlimit të seksionit tërthor të rrugës pas këtij kilometri.
Projekti do të rishikohet paraprakisht deri në KM 13+440 ndërsa zona prej KM 13+440 – 13+514 do të rishikohet në një fazë të mëvonshme për shkak të specifikave të rrënojave arkeologjike që gjenden në këtë zonë përfshirë edhe parkingun ekzistues.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate