11 maggio 2012

Rikthehet vëmendja mbi Kalanë e Tiranës

Rikthehet vëmendja mbi Kalanë e Tiranës (Gazeta Shekulli)

Para pak kohësh, Kalaja e Tiranës, me vendim të Këshillit të Ministrave, u shpall Zonë Arkeologjike e Kategorisë "A". Statusi i ri ka për qëllim mbrojtjen e monumenteve kulturore që ndodhen në këtë territor, ndalimin e ndërtimeve dhe rritjen e vëmendjes për restaurime dhe gërmime të reja në këtë zonë. Në hartën e re Arkeologjike (në formën dixhitale me koordinata në sistemin GPS) shihet ndërtesa e Kinema Millenium 2, Akademia e Shkencave, Parlamenti, Reparti dhe Instituti i Gjeografisë, që janë brenda mureve rrethuese të Kalasë. Kurse, jashtë tyre, është ndërtesa e Ish-Pallatit të Pionerit, Instituti Ushtarak dhe Shtëpia e Ushtrisë, që janë të përfshira brenda vijës kufizuese të Zonës Arkeologjike "A", gjithashtu të mbrojtura me ligj. "Është hera e parë që Kalaja e Tiranës përfshihet në një zonë Arkeologjike të kësaj kategorie", pohon përgjegjësia e Sektorit të Konservimit dhe Arkeometrisë në ASHA (Agjencia e Shërbimit Arkeologjik), Albana Hakani. Për Hartën e Kalasë dhe Rregulloren ka punuar një grup pune me 3 specialistë të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, 1 specialist i Institutit të Monumenteve dhe 1 nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare. Po çfarë thuhet në rregulloren e miratuar për mbrojtjen e kësaj zone arkeologjike? "Përveç mureve të kalasë, tashmë shpallet zonë e mbrojtur edhe territori brenda dhe perreth kalasë. Në këtë mënyrë, nuk ka më shteg për keq-interpretime dhe i jepet fund dëshirave abuzive për të ndërtuar. Ndalohen të gjitha ndërhyrjet, duke përjashtuar ato të restaurimit të monumenteve me leje të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, si dhe ato të rrjetit inxhinierik me leje të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë", shpjegon Hakani. Kurse, për objektet jokulturore, që janë të ndërtuara brenda territorit rrethues të kalasë, ende nuk është marrë ndonjë vendim. Më pas Hakani tregoi synimet që Institucionet përkatëse kanë për zhvillimin e kësaj zone, ku përfshihen: hapja e rrugës së zhvillimit të koncepteve shkencore dhe atyre të arkeologjisë, që mund të aplikohen jo vetëm nga specialistë të fushës, por edhe nga studentë të Universiteteve dhe një mirë prezantim i saj tek turistët. Këtë praktikë, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik e Ministrisë së Kulturës synon ta ndjekë edhe për Administrimin e Zonave Arkeologjike të Kategorisë "A" dhe "B" në qytetet: Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Vlorë.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate