16 maggio 2012

Rreth Shqiperis, About Albania

Rreth Shqiperis, About Albania


Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28.748 km2. Ajo është e pozicionuar në pjesën jug perëndimore të gadishullit  Ballkanit dhe kufizohet në veri me Malin e Zi, në veri- lindje me Kosovën, në lindje me Maqedoninë dhe në jug e jug -lindje me Greqinë. Në perëndim vendi laget nga ujërat e deteteve Adriatik dhe Jon. Shqipëria ndahet në katër zona fiziko - gjeografike (Alpet e Shqipërisë, Krahina Malore Qëndrore, Krahina Malore Jugore dhe Ultësira Perëndimore). Shqipëria është në përgjithësi vend malor. Malet dhe kodrat zenë 2/3 e sipërfaqes. Maja më e lartë e vendit është Korabi 2.763 m, në rrethin e Dibrës në veri - lindje të vendit. Ultësirat të cilat zenë 1/3 e sipërfaqes shtrihen përgjatë bregdetit Adriatik si dhe në zonën e Korçës në jug - lindje të vendit. Klima e Shqipërisë  është tipike mesdhetare, me verë të nxehtë e të thatë dhe dimër relativisht të butë dhe të lagët. Në pjesët malore, në brendësi të vendit veçanërisht në veri,  dimri është i ashpër dhe me dëborë, ndërsa vera është e freksët me temperaturë të këndëshme. Lumenjtë kryesorë janë: Drini, Vjosa, Shkumbini, Semani, Mati, Buna. Prej tyre vetëm Buna, në rrjedhën e poshtëme është i lundrueshëm. Më shumë se një e treta e Shqipërisë është e mbuluar nga pyje. Një e treta është kullotë dhe vetëm rreth një e pesta është e kultivuar. Shqipëria ka një pozicion mjaft të përshtatshëm  gjeografik për zhvillimin e industrisë turistike me një akses mjaft të volitshëm ndaj tregjeve kryesore europiane, me një potencial klimaterik shumë të favorshëm, me një shtrirje të gjatë plazhesh ende të pastra, dhe me male të lartë  dhe liqene të shumtë të mëdhenj e të vegjël..

Popullsia
2007 -  3,600,523 (shtimi popullsisë: 0.5%); përqindja e lindjeve: 15.2/1000 vdekshmëria foshnjore: 20.0/1000  jetëgjatësia: 77.6

Kryeqyteti
 Tirana (nga viti 1920). Ajo ka përafërsisht 700,000 banorë. Tirana është qendra e jetës ekonomike dhe kulturore të vendit.
Monedha: Lek

Minoritetet:  
Grekë 3%, Maqedonas 0.3%, si dhe pakica  Serbo-Malazezësh, vllehësh dhe romësh.

Përbërja Fetare 
 Myslimanë 70%, Ortodoks 20%, Katolik 10%.

Gjuha zyrtare
Gjuha shqipe është një gjuhë indo-evropiane dhe përfaqëson një degë të veçantë në familjen e gjuhëve indo-evropiane.Gjeografi grek, Ptholemeous, ka dëshmuar ekzistencën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe që në shekullin e dytë te erës sonë. Emri "Shqipëri" zëvendësoi emrin e "vjetër "Arbëri" (ose Arbani) në fund të shekullit XVII, për shkak të kushteve të reja historike të krijuara në këtë periudhë. Ky emër kishte për qëllim ti jepte rëndësi lidhjes ndërmjet emrit të vendit dhe gjuhës, e cila në atë kohë quhej "Shqip". Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës shqipe i përket vitit 1462. Vepra e parë letrare "Meshari" (Gjon Buzuku) u botua më 1555, dhe që nga ajo kohë gjuha shqipe është zhvilluar në dy dialekte kryesore, veçanërisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare: "Gegërisht", gjuha e folur në Veri të Shqipërisë, dhe "Toskërisht", gjuha e folur në Jug të Shqipërisë.  Alfabeti i gjuhës letrare shqipe ka 36 shkronja dhe përdoret alfabeti latin, i aprovuar nga Kongresi Kombëtar i Manastirit më 1908. Gjuha shqipe (e folur dhe e shkruar) përdoret gjithashtu në Kosovë, në popullsinë shqiptare në Maqedoni, Malin e Zi, në luginën e Preshevës në Serbinë jugore, në Epirin e Jugut nga Arvanitasit në Greqi, si dhe nga arbëreshët e Italisë në regjionet e Kalabrisë, Siçilisë dhe Molisës.

Sistemi Politik
Shqipëria është Republikë Parlamentare me 140 deputetë, të cilët zgjidhen nga vota e lirë, një herë në katër vjet me zgjedhje të përgjithshme. Pushtetet kryesore janë legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësor.

Kryetare e Kuvendit
Znj. Jozefina Topalli, e zgjedhur nga Kuvendi është gruaja e parë Kryeparlamentare në gjithë historinë parlamentare në vend dhe e gjashta Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë në historinë parlamentare pluraliste, që nga viti 1991. Ajo e mori detyrën në muajin shtator 2005 dhe ngarkohet serish ne detyren e Kryetares se Kuvendit ne shtator te 2009-es.

Presidenti i Republikës
Z. Bamir Topi, i zgjedhur nga Kuvendi më 20 korrik 2007 për një periudhë pesë-vjeçare.

Kryetari i Këshillit të Ministrave
Z. Sali Berisha (Partia Demokratike)

Qeveria 
 Përbëhet nga koalicioni ndërmjet PD, PR, LSI, PDR,PDI  dhe PA.

Kushtetuta
Kushtetuta e re e Republikës së Shqiperisë është aprovuar me Referendum Popullor më 28 nëntor 1998.

Flamuri 
Flamuri kombëtar i Republikës së Shqipërisë paraqitet me një shqiponjë të zezë me dy kokë dhe me krahë të hapura, të vendosur në qendër të një sfondi të kuq.

Emblema
Emblema e Republikës së Shqipërisë paraqitet me një shqiponjë të zezë, të vendosur në një mburojë të kuqe të tipit "variaz". Mburoja e kuqe rrethohet nga një shirit i zi. Në pjesën e sipërme, me të kuqe është shkruar Republika e Shqipërisë.

Ekonomia

Përafërsisht 60% e fuqisë punëtore të Shqipërisë është e zënë në bujqësi; balancimi përfshihet në shërbime ose industri. Bujqësia më parë ishte në formë kolektive dhe ferma bujqësore, por nga viti 1992 pjesa më e madhe e tokës bujqësore u privatizua. Blegtoria është aktualisht dega kryesore e ekonomisë bujqësore. Vendi është mjaft i pasur me bimë medicinale. Deri para Luftës së Dytë Botërore Shqipëria zinte vendin e parë në botë në eksportin e Sherebelës. Vendi është i pasur në lëndë të para  dhe burime minerale, si në krom, për rezervat e të cilit Shqipëria zë vendin e tretë në botë, në bakër, hekur, nikel, (ku për rezervat për frymë zë vendin e 17 në botë), naftë, gaz natyrorë, qymyrgurë, etj. Përpunimi bujqësor, nafta, shfrytëzimi i mineraleve dhe prodhimi i tekstileve, veshjet, lëndë druri, çimento dhe kimikatet janë industritë kryesore. Shqipëria eksporton konfeksione, tekstile, këpucë, krom, artikuj ushqimor, duhan, prodhime të artizantit, bimë medicinale, etj dhe importon kryesisht makineri, prodhime të tjera industriale dhe mallra konsumi. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia dhe Greqia. Shqipëria është duke u përpjekur me këmbëngulje të tërheqë investimet e huaja dhe të promovojë investimin vendas. Bashkëpunimi i ngushtë me organizmat ndërkombëtare si p.sh: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian, BERZH, etj janë garancitë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Turizmi shqiptar 


Shqipëria si shkak i pozitës së saj gjeografike, klimës, bukurive natyrore dhe trashëgimisë së pasur historike e kulturore ofron një potencial të rëndësishme për zhvillimin e industrisë së turizmit. Klima e butë dhe e favorshme bën që vendi të jetë destinacion turistik gjatë 12 muajve të vitit. Gjatë viteve të fundit  turizmi shqiptar po jeton një ngritje të vazhdueshme duke u përqendruar në ofrimin e produkteve të ndryshme turistike si turizmi i " diellit dhe detit", " turizmi kulturor"  etj.  Turizmi bregdetar është kryesisht i zhvilluar në qytetet e Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Divjakës. Gjatë stinës së verës më shumë se 200.000 turistë frekuentojnë ujërat e detit Adriatik të Durrësit dhe Vlorës, të cilat ofrojnë edhe shërbime hotelerie dhe qendra argëtimi të ndryshme. Durrësi është një destinacion interesant edhe për turizmin historik. Qyteti bukur i Sarandës  është një qendër e rëndësishme turistike jo vetëm për plazhet por edhe për pasuritë e mëdha  kulturore e historike. Saranda vizitohet nga shumë turistë ndërkombëtarë, një pjesë e mirë e  të cilëve hyjnë nga ishulli grek i Korfuzit. Turizmi malor është i përqendruar kryesisht në pjesën Jug- Lindore dhe Veriore të Shqipërisë. Fshati i Voskopojës ndodhet 21 km larg qytetit të Korçës, me ajër të pastër dhe ujë kurativ. Pika të tjera janë Alpet e Shqipërisë në veri të vendit (Thethi, Vermoshi, Valbona etj).

Kultura dhe Historia

Territoret e Shqipërisë së sotme kanë qenë të populluara para 100.000 vitesh.Në fillimet e mijëvjeçarit të tretë para erës sonë, u vendos popullsia Indo - Evropiane.Si rezultat i kësaj përzierje u krijua një popullsi që ruajti karakteristikat  e veçanta kulturore dhe gjuhësore në Gadishullin Ballkanik (pellazgët).Të bazuar në këtë popullsi të vjetër, midis mijëvjeçarit të II dhe shekullit të parë para erës sonë u krijua popullsia Ilire. Grekët arritën në Epidamos (Durrësi i sotëm), Apoloni dhe Butrint në shek. 7 para erës sonë për të vendosur aty koloni të vete - qeverisura. Ashtu si dhe grekët, Ilirët ruajtën gjuhën dhe traditat e tyre pavarësisht pushtimit romak prej shekujsh.Rruga tregtare më e rëndësishme midis Romës dhe Kostandinopolit, ishte rruga Egnatia, që kalonte përmes portit të Durrësit. Në fund të shekullit 14, Shqipëria ishte e pushtuar nga perandoria Romake.

Nga viti 1443 deri në 1468 heroi kombëtar Skënderbeu (Gjergj Kastrioti) udhëhoqi rezistencën shqiptare, duke fituar të 25 betejat kundër Turqve.Pas vdekjes së Skënderbeut, ishte vetëm çështje kohe para se Otomanët të mundnin rezistencën shqiptare duke marrë kontrollin e vendit në 1479.

26 vite më vonë Kostandinopoli u rrëzua. Për më shumë se 400 vjet Shqipëria ka qenë nën regjimin Otoman. Përpjekjet dhe revoltat e njëpasnjëshme sollën Shpalljen e Pavarësisë në 1912.Nga viti 1912 deri në fund të luftës së parë Botërore vendi u bë pre e sulmeve nga shtetet fqinjë. Vendi u pushtua nga forcat e Musolinit në 1939 duke i dhënë fund regjimit të Monarkisë që zgjati  11 vjet. Në 1943 vendi u pushtua nga forcat naziste gjermane.

Rezistenca ndaj sulmeve të huaja njihet si fronti AntiFashist Nacional Çlirimtar. Partia komuniste hyri në fuqi në nëntor 1944, kur forcat e huaja u larguan nga vendi. Pak kohë më pas u vendos regjimi totalitar nën udhëheqjen e liderit komunist Enver Hoxha. Për 50 vite me rradhë, vendi ishte në izolim të plotë, rezultat ky edhe i politikës që ndiqej në atë kohë. Politika e vetë izolimit, e la vendin në varfëri ekonomike deri në vitin 1991. Nga viti 1991 deri në 1997 vendi u udhëhoq nga Partia Demokratike, e më pas nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj (2005-2007).Pas zgjedhjeve të fundit më 3 Korrik 2005, koalicioni i Partisë Demokratike mori përsëri pushtetin. Politika Shqiptare synon të integrojë vendin në Bashkimin Evropian. Tashme Shqipëria është anëtare e NATOS.

Mikpritja 

 është një traditë shekullore shqiptare. Populli shqiptar është i njohur për vlerat e tij të humanizmit.Për traditat e mikpritjes së shqiptarwve kanë shkruar shumë udhëtare të huaj, të cilët kanë shkelur vetë në tokën shqiptare. Për tu përmendur janë Lord Bajroni, udhëtarja angleze Edith Durham, konsulli francez Pukeville, Ekharti, Hammondi etj.
Shqipëria ka një traditë të gjatë në folklorin muzikor, i cili daton që nga periudha Iliriane. Në këngët, vallet, dhe krijimet instrumentale  pasqyrohen temperamenti dhe shpirti i gjallë i shqiptarëve.
Letërsia e vjetër përfaqësohet nga vepra me karakter fetarë ku shprehet rezistenca kundrejt dominimit turk. Libri i parë shqip është "Meshari" i Gjon Buzukut  (1555). Autorët më të njohur të kësaj letërsie janë Pjetër Budi, Fran Bardhi, Pjetër Bogdani etj. Letërsia shqiptare zhvillohet fuqimisht në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Kjo letërsi ndërthur shpirtin iluminist, romantik, demokratik të shkrimtarëve të asaj periudhe. Tema kryesore e krijimtarisë së asaj periudhe përbën epika dhe lirika historike. Autorët më të spikatur të letërsisë së Rilindjes janë: Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Sami Frashëri, Ndre Mjeda, De Rada etj. Gjatë periudhës së Pavarësisë, letërsia trajtoi të njëjtën temë të patriotizmit të Rilindjes, duke u thelluar më shumë në karakterin demokratik.
Figurat më të shquara të kësaj periudhe janë Fan Noli, si një publicist, poet, përkthyes si edhe një figurë politikani, Migjeni, Lasgush Poradeci, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica e të tjerë. Pas luftës së dytë botërore, realizmi socialist kushtëzoi tematikën e letërsisë. Megjithatë edhe  gjatë kësaj periudhe lindi dhe u zhvillua një letërsi e mirëfilltë e cila edhe pse nën çensurë, krijoi dhe u konfirmua. Mund të përmenden shkrimtarët : Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhimitër Xhuvani, Jakov Xoxe, Vath Koreshi, Kol Jakova, Bardhyl Londo, Fatos Kongoli etj.

Artet e ndryshme dhe ato figurative i kanë fillimet që në periudhat antike. Kështu nëpërmjet zbulimeve arkeologjike janë zbuluar me qindra terakota, ornamente metalike që i përkisnin fiseve ilire.Për tu përmendur janë shkollat e Apolonisë dhe të Durrësit të lashtë.Objektet më të shquara dhe më interesante të kësaj periudhe janë koka e Deas (Hyjnesha e Butrintit), koka në mermer e Artemisit në Apoloni, mozaikët e Butrintit, mozaiku "Bukuroshja e Durrësit", statujat e Apolonisë etj.

Në periudhat bizantine dhe post - bizantine janë për tu përmendur afresket murore që gjenden në kishën e Rubikut (1272).Në shekullin e 16-të, janë për tu përmendur afresket e Onufrit dhe në vitin 1986 u hap në Berat muzeu, në nder të punimeve të tij.
Në shekujt e 18-të janë për tu përmendur punimet e ikonografëve të shquar Kostandin Shpatarakut dhe David Selenicasit. Punimet e tyre gjenden në Ardenicë, Voskopojë, në kishat e Selcanit dhe Valëshit në zonën e Shpatit, në Korçë etj.
Për vizitorët dhe turistët paraqet mjaft interes "Muzeu i Artit Mesjetar" që gjendet në Korçë.
Gjatë periudhës së rilindjes dhe pavarësisë në artin dhe kulturën shqiptare, janë për tu përmendur personalitete të tilla si: piktorët Kolë Idromeno (1860 - 1939), Andrea Kushi (1884 - 1959), Spiro Xega (1863 - 1953), Vangjush Mio (1891 - 1957), në skulpturë  Odise Paksali (1903 - 1985), në muzikë Tefta Tashko Koço etj. Për turistët, Shqipëria ofron disa muzeume dhe galeri me interes kulturor siç janë: Muzeu Historik Kombëtar, Shtëpia Muze e Vangjush Mios, Galeria Kombëtare e Arteve Figurative në Tiranë,Muzeu "Mezuraj" si dhe muze te tjera private në Tiranë, Galeria "Eduard Lir" në Berat, Galeria "Guri Madhi" në Korçë etj. 

ATRAKSIONET TURISTIKE


Shqipëria ndodhet në Gadishullin e Ballkanit në rajonin e Europës Jug Lindore. Kufirin tokësor ajo e ka me Malin e Zi dhe Kosovën, ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Greqinë. Në perëndim vendi laget nga ujrat e deteve Adriatik dhe Jon. Kanali i Otrantos e ndan Shqiperine nga bregu italian.Klima është mjaft e favorshme dhe e shëndetëshme, mesatarisht rreth 120 ditë në vit kanë temperatura më të larta se 20 gradë C e rreth 112- 120 dite me diell, duke zënë vëndin e dytë në Europë mbas Spanjës.Republika e Shqipërisë së bashku me sipërfaqen e lagunave ka një gjatësi të konsiderushme të vijës bregdetare me gjatësi 450 km, e shtrirë kjo në dy dete: Adriatik dhe Jon. Bregdeti shqiptar shquhet për pasuri dhe potenciale të mëdha të turizmit balnear.Në brendësi ka një natyrë malore e të  thyer e cila dukshëm tërheq vëmendjen e gjithe  vizitorëve.
Natyra dhe ekologjia  shqiptare krijon mundësi për zhvillimin e turizmit bregdetar, atij malor (të gjelbër dhe të bardhë), turizmit aventuroz, etj.
Plazhet:
Plazhet më  të përshtatshme për pushimet e familjarëve janë ato të Adriatikut, Velipojës, Durrësit, Golemit, Divjakës, Plazhit të Ri në Vlorë etj. Zona Joniane shquhet për plazhe intime dhe frekuentohet kryesisht nga të rinjtë. Këto plazhe ofrojnë mundësi për të apasionuarit e zhytjeve, shëtitje me skafe etj. Të tilla janë plazhet e Dhërmiut, Jalit, Himarës, Qeparoit, Borshit, Sarandës e Ksamilit.Bregdeti Shqiptar, nëpërmjet lagunave të tij të mrekullueshme, krahas plazheve, ofron mundësi për të apasionuarit e natyrës, ekoturizmin dhe observimin e shpendëve detarë, veçanërisht në lagunën e Karavastasë, në sistemin lagunor të Kunë-Vainit në Lezhë etj.

Lumi Osum dhe Kanionet:

Kanionet e Osumit, kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450 m mbi nivelin e detit. Mendohet se ato jane formuar 2-3 milionë vite më parë nga erozioni i ujit që depërton thellë në tokë.Përgjatë gjithë grykës ka mjaft kalime nëntokësore dhe shpella të paeksploruara.Ka hamendje se kanionet kanë shërbyer kohë më parë si nënkalime mbi lumin e Corovodës, por me kalimin e shekujve, tavanet e nënkalimeve nënujore janë shembur duke nxjerrë dhe formëzuar një tjetër reliev, sot këtë kanion.Ne gjirin e këtij kanioni, që përshkrohet nga lumi Osum, në të dy krahët e tij rrjedhin ujvara nga fshatra të ndryshme, të cilat kalojnë në një sistem shkëmbor. Kanioni si origjinë, më i madhi në Shqipëri, është ndër me fantastikët ne Europë, i karakterizuar kështu dhe nga studiuesit europiane, gjeografë që kanë ardhur në zonë.Ky kanion ka bukurinë mahnitëse edhe për ekosistemin që ruan në vetvete, ku gjelberimi në të dy krahët gjatë shpateve të kanionit, është i përhershëm.Shkurre mesdhetare me bimësi si marja, shqopa etj me nje botë të pasur të gjallë dhe peshq të kategorive nga më të ndryshme të ruajtura në themelet e lumit Osum.Në shpatet e të dy krahëve të kanionit, veprimtaria erozive e faktorëve te jashtëm ka krijuar një sëre shkëmbinjsh, nga më të rrallët të gjendur në kanionet shqiptare.
Për luginën e Osumit, banorët rrëfejnë shumë legjenda, të cilat vijnë nga shumë vite larg...duke filluar me Mullirin e Babait, Vrima e Nuses dhe Shenjtori Abaz Aliu...shumë interesante për cdo vizitor.

Në Kanionet e lumit Osum, ndodhen 6 ngushtica, ku kanioni në shtratin e lumit merr nje ngushtësi deri në 1.5 m, ndërsa hapësira lart në sipërfaqe shkon deri në 35 m. Përvec tyre, te kanionet ndodhet Katedralja, Syri, Porta e Djallit...Gërryerjet ndër vite i kanë dhënë formën e ngrehinës natyrore të kultit.
Të ndërtuara për të qënë një bukuri dhe thesar i mbarë njerëzimit, nëpërmjet mrekullisë krijuese të mjeshtrit më të madh të kohërave, natyrës, kanionet e Osumit bëhen emocionuese në cdo moment, në cdo kohë dhe magjia të mbërthen që në sekondën e parë që i sheh, duke të bërë pre të dashurisë së përjetshme.
Eshtë tepër e vështirë, herë e pamundur për të përshkruar ato emocione që përjeton duke i parë dhe prekur dhe ndoshta është e pabesueshme por është e vërtetë që takimi me to të ndryshon jetën.
Pamja që të ofrojnë ato kur i sheh nga sipër është padiskutim marramendëse, por ajo cka ti prek kur futesh mes tyre dhe shëtit, të bën të mendosh se je në një përrallë, në një vend-ëndrrash...

Liqenet

Shqipëria është e pasur gjithashtu me liqene të larmishëm, të mëdhenj dhe të vegjël. Më i famshmi për plazh dhe rekreacion është liqeni i Ohrit me një siperfaqe prej 362 km2 nga të cilat 1/3  i takon Shqipërisë. Ai eshte liqeni më i thellë në  gadishullin e Ballkanit, me afro 300 m. Ky liqen  për vlerat historike  dhe shumllojshmërin  e florës dhe faunës së tij të rallë është deklaruar nga UNESCO pasuri e trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Specja më e vecante e këtij liqeni është korani një peshk  i shijshëm, i cili rrallë  gjendet në vend tjetër.
Qyteti i Pogradecit, i ndërtuar në bregun jugperëndimor të tij, është i njohur si një qëndër klimaterike. Rreth brigjeve të liqenit janë disa qëndra turistike si Lini, Pojska, Pogradeci, Driloni dhe Tushemishti, ku krahas hoteleve ofrohen edhe shtëpi me qera për turistët.
Liqeni i Shkodrës ka një siperfaqe  prej 362 km2 nga e cila 149m2  i takon Shqipërisë. Qëndrat kryesore turistike janë Shiroka dhe Zogaj. Restorante të shumtë ofrojnë specialitete te peshkut te liqenit krap, shtojzë e ngjalë. Aktivitetet kryesore janë banjot e dielllit, peshkimi, noti, shëtitjet me vaporë të vegjël etj.
Liqeni i Prespës me një sipërfaqe prej 285 km2 nga të cilat 38.8 km2 i takojnë Shqipërisë shquhet për brigjet intime dhe për ishullin e vogël të Maligradit, ku ndodhet edhe një kishë eremite. Qendrat kryesore janë Liqenasi, Zaroshka (ku ndodhet plazhi kryesor) Gollomboci, Goricë e madhe dhe e Vogël etj.
                                                                                          

Destinacionet malore

Janë të përhapura gjërësisht në territorin e Shqipërisë. Ndër pikat më të përmendura janë mali i Dajtit pranë Tiranës, Llogaraja në rrethin e Vlorës, Dardha e Bozdoveci në rrethin e Korçës, Valbona në Tropojë, Thethi në Malësinë e Madhe etj. Këto ofrojnë mundësi të shumta natyrore për të praktikuar aktivitete të shumta si ski, alpinizëm, trekking, bicikleta malore etj.

Atraksionet historiko- kulturore


Bukurive natyrorë të vëndit u shtohen edhe një sërë pikash të  trashëgimisë kulturore dhe historike, ndër të cilat për tu përmendur janë objektet arkeologjike të Butrintit (nën mbrojtjen e UNESCO-s), Apollonia, Durrësi i lashtë, Bylis, kalaja e Rozafës në Shkodër,  Krujës, Durrësit, Petrelës, Elbasanit, Beratit, Gjirokastrës, Lëkursit, Porto Palermos etj. Me interes janë edhe një kompleks objektesh të periudhës bizantine, si kishat e Beratit, Voskopojës, Manastiri i Ardenicës, muzeume të ndryshme etj.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate