31 maggio 2012

Si të ndërtoni një web faqe për turizmin

"Si të ndërtoni një web faqe për turizmin"
 
Intervistoi: Fjoralba Shahaj
E Enjte, 16 Korrik 2009

Ai ka udhëtuar në shumë vende të botës, si në Algjeri, Tunizi, Marok, Senegal, Kamerun, Brazil, Montreal dhe Toronto të Kanadasë, si dhe në Republikën Domenikane, por në Shqipëri i bën veçanërisht përshtypje numri i madh i automjeteve tip “Benz”. Bernard Germain, shef i departamentit të Komunikimit dhe Informatikës në Universitetin e Nantes, në Francë, ndodhet këtu për të dhënë informatikë dhe konkretisht, njohuri në ndërtimin dhe menaxhimin e ueb faqeve turistike, me studentët e Masterit në Universitetin Europian për Turizmin, i vetmi i këtij lloji në Ballkan që drejtohet nga prof. Dr Salvatore Mesina. Më poshtë ai sqaron sa të rëndësishme janë për operatorët turistikë ueb faqet, si ndërtohen dhe mirëmbahen ato, si dhe sekretet për të mbajtur vizitorë besnikë përmes internetit. Përveç informatikës, prof. Bernard Germain në çdo vend ku udhëton, thotë se vëren se ku hanë njerëzit. “Nëse ata hanë në x restorant, do të thotë që aty gatuhet mirë dhe nga kjo kuptoj që bëhet fjalë për një kuzhinë vendase, tradicionale, të cilën do të doja ta provoja. Në Shqipëri kuzhina më pëlqen shumë, por ka disa vështirësi për turistët, që duhen përmirësuar, duke nisur që nga orientimi përmes hartave, broshurave etj.”, thotë Germain.


Përse ndodheni aktualisht këtu, profesor?

Këtu ndodhem për t’u mësuar studentëve të EUFT-së bazat e informatikës, gjithashtu për t’u dhënë studentëve të masterit metodologjinë e hapjes dhe menaxhimit të një faqe ueb-i. Avantazhi është se këto informacione në faqet e ueb-it mund të menaxhohen fare mirë edhe pa qenë informaticien. Këto janë platforma që shërbejnë për shumë persona njëkohësisht, që mund të hedhin informacione në këtë faqe ueb-i.

Ju jepni lëndën e informatikës. Sa e rëndësishme është ajo për operatorët turistikë?

Informatika është shumë e rëndësishme për operatorët turistikë, sigurisht nëse ajo përdoret mirë në shërbim të komunikimit. Gjërat më të përdoruara në turizëm janë faqet ueb, por ato nuk duhen ndërtuar thjesht se mund të jetë në modë bërja e një faqe ueb-i, sepse kjo nuk do t’i shërbente askujt. Duhet bërë një reflektim shumë i thellë para se të ndërtohet një faqe e tillë, në mënyrë që të strukturohen sa më mirë idetë. Duhet përcaktuar një listë shumë e detajuar e gjërave që do futen në këtë faqe, gjëra që kanë të bëjnë me aktorët e turizmit dhe duhet përcaktuar se cilët do të jenë vizitorët dhe çfarë duan të shohin ata. Për këtë nevojitet një studim në detaje i tregut të turizmit, si psh., cili është ndikimi i internetit në turizëm, duke qenë se është një mjet i shpejtë komunikimi në mbarë botën. Gjithashtu, duhen pasur parasysh kërkesat e target grupit që synoni, çfarë duan ata, çfarë presin nga një faqe ueb-i. E rëndësishme është që këta vizitorë të bëhen besnikë, që ata të mos largohen nga kjo faqe. Zakonisht, kur hapet një faqe ueb-i, tendenca është që të ketë shumë vizitorë, por nuk duhet harruar që kjo faqe të jetë gjithmonë up-date, të hidhen informacione të reja, në mënyrë që të mos humbasë numri i vizitorëve. Kemi vënë re që 6 muaj pas hapjes së një faqeje interneti, numri i vizitorëve bie në mënyrë të ndjeshme, ndaj rifreskimi është i dobishëm.

Si i kanë përvetësuar studentët shqiptarë njohuritë e marra prej jush?

Konstatova që studentët shqiptarë që nuk punonin shumë në grup me njëri-tjetrin. Faktikisht, puna në grup është e vetmja mënyrë se si mund të menaxhohet një faqe e tillë. Sapo u thua atyre që bëhet fjalë për një punë në grup, ata të përgjigjen: do të dojë ai ose ajo të bashkëpunojë me mua? Duhet të dini që reflektimi i një grupi është shumë i rëndësishëm për të pasur një turizëm të zhvilluar. Ajo që vura re këtu është puna individuale, njerëzit mesa duket kanë tendencën që të punojnë në mënyrë vetjake, duke u shprehur “ky është restoranti im, ky është biznesi im etj.”

Sa të rëndësishme janë ueb faqet e turizmit dhe në ç’nivel profesional janë ato në Shqipëri?

Po përgjigjem në mënyrë humoristike, duke bërë edhe një paralelizëm me planin e Tiranës. Nëse shohim planin e Tiranës, ju keni të emërtuara rrugët kryesore dhe shëtitoret, ndërsa në hartë nuk ndodhet asnjë përcaktim tjetër lokal. Për një evropian kjo është fatkeqësisht një gjë e keqe, sepse përveç emrit të rrugës kryesore, ne nuk orientohemi dot. Kur kërkojmë një restorant të vogël psh., na thuhet se duhet të shkojmë deri te hoteli, të kthehemi majtas dhe të ecim drejtë, pa e marrë vesh mirë se sa rrugë duhet të bëjmë. Kështu, shpeshherë përfundojmë duke bërë 4 herë rrethin, për të përfunduar në restorantin që kërkojmë. Përveç hartës që përmenda, e njëjta mangësi haset edhe në faqet e ueb-it, sidomos sa i përket planeve. Nuk mund të shprehem shumë në lidhje me këtë çështje, sepse nuk është se kam bërë shumë kërkime në këtë fushë.

Nëse situata është e tillë, ku referohen studentët tuaj për të përvetësuar njohuritë të mëtejshme në fushën e faqeve turistike në internet?

Profesor Mesina më ka kërkuar që të bëjë një audit, një tip analize për site të ndryshme dhe faqe ueb që kanë lidhje me turizmin. Kjo do të shërbejë për të orientuar universitetin tonë dhe informacionin e dobishëm që duhet të kenë studentët, si dhe për të zhvilluar projekte me studentët e masterit. Qëllimi është që kur të jenë në punë, ata të dinë të mbajnë qëndrimet e duhura, në bazë të metodologjisë së siteve të turizmit. Mbani mend, më e rëndësishme është të punohet në grup, gjë që çon në krijimin e klientëve besnikë. Është një reflektim mjaft i nevojshëm që duhet krijuar domosdoshmërish, para se të krijohet një ueb faqe. Duhet bërë një analizë e detajuar mbi të gjitha gjërat që do përfshihen aty, deri te target grupi që do tërhiqet.

Për ju është hera e parë e parë në Shqipëri apo keni qenë këtu edhe më parë?

Është hera e parë që unë vij në Tiranë. Deri tani mund të them që kam vizituar rreth ¾ e Tiranës turistike. Dua të theksoj se nuk kam parë kaq shumë automjete të tipit “Benz Mercedes” se sa këtu dhe në Gjenevë, ku jeton ime bijë. Unë kam bërë shumë foto në sheshin “Skënderbej”, sepse nga ato që kam lexuar kam kuptuar që ky shesh përmban në vetvete shumë nga historia e Shqipërisë. Në Shqipëri ka shumë gjëra të bukura, por për ne si evropianë ka një mungesë strukturimi, sidomos sapo zbresim në aeroport, ku mbetemi disi të befasuar.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje gjatë qëndrimit tuaj në Tiranë?

Ajo që më bën më shumë përshtypje këtu, është harmonia që ekziston mes feve të ndryshme, si ajo katolike, ortodokse dhe myslimane. Kjo është shumë pozitive dhe është një shans i mirë për Evropën që të integrojë Shqipërinë, pasi evropianët do të lejohen të mos kenë paragjykime për popujt që kanë pjesën dërrmuese të popullsisë myslimane. Këtë gjë e kam konstatuar edhe në ishujt Reunion, pranë Madagaskarit në Afrikë. Im bir jeton aty dhe kam vënë re se komunitetet fetare kanë një harmoni të pashoqe mes tyre. Kështu, në të njëjtin vend shohim një kishë, një xhami dhe një objekt kulti indian. Ndodh e kundërta në Francë, ku ka fraksione të mes feve. E përsëris edhe njëherë, është një shans për evropianët që të fusin në gjirin e tyre Shqipërinë.

Po sa i përket traditës ose gastronomisë, ka pasur diçka që ka tërhequr vëmendjen tuaj?

Më ka pëlqyer dhe më ka bërë përshtypje kuzhina shqiptare. Unë kam udhëtuar në shumë vende, si psh në kontinentin afrikan në Algjeri, Tunizi, Marok, Senegal, Kamerun, Brazil, Montreal dhe Toronto të Kanadasë, si dhe në Republikën Domenikane. Në çdo vend ku shkoj vërej ku hanë njerëzit, vendasit. Nëse ata hanë në x restorant, do të thotë që aty gatuhet mirë dhe nga kjo kuptoj që bëhet fjalë për një kuzhinë vendase, tradicionale, të cilën do të doja ta provoja. Në këtë rast, pyes njerëzit që më rrethojnë, se ku mund të gjej një restorant të mirë, ndoshta edhe të vogël, me gatime vendase. Në vendin tuaj, them se duhen bërë më shumë përpjekje, gjithsesi. Nuk ka broshura për të ditur restorantet e mira, qoftë edhe të vegjël, por ku gatuhet kuzhinë tradicionale. Duhen bërë më shumë përpjekje edhe për promocionin e kuzhinës, sepse të huajt sapo vijnë në Shqipëri, përballen më shumë me kuzhinën ndërkombëtare, të cilën e kanë shijuar edhe në vende të tjera. Turistët duan të shijojnë diçka ndryshe, për të zbuluar realisht afërsinë me popullsinë vendase. Të mund të zbulosh tjetrin kur shkon në një vend të huaj, kjo është shumë e rëndësishme. Pra, nuk ka kuptim të shkosh për të vizituar një vend të huaj dhe të mbyllësh sytë, duke ndenjur në një hotel ndërkombëtar, qoftë edhe thjesht për t’u larë në pishinë. Nga ky aspekt, kjo veprimtari nuk do të konsiderohej turizëm. Gjithsesi, vendi është në rrugë të mbarë, pavarësisht të gjithave ka një lloj zhvillimi sipas meje.
http://www.kohajone.com/artikull.php?idm=44696 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate