24 maggio 2012

Turizmi bregdetar, gazetarë serbë në qytetin e Sarandës

Turizmi bregdetar, gazetarë serbë në qytetin e Sarandës

Gazetarët serbë dje në Bashkinë e Sarandës
Një grup gazetarësh që përfaqësojnë disa prej mediave më prestigjioze në Serbi, kanë vizituar paraditen e djeshme qytetin e Sarandës, në kuadër të një turi të ndërmarrë prej tyre në të gjithë Shqipërinë, për të parë nga afër veçoritë, zhvillimin dhe kulturën shqiptare. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, i priti ata në zyrën e tij, ku i njohu me historinë dhe zhvillimin e qytetit bregdetar si dhe veçoritë që ai mbart. Përparësitë e qytetit bregdetar, si dhe ftesën për ta vizituar qytetarët serbë, pse jo edhe për të kaluar pushimet e verës, kryebashkiaku i përcolli edhe në një intervistë dhënë gazetares së RTS-së, Branka Kerkez, si dhe RTV Studio-B, Valentina Milenkovic. Në fund kryebashkiaku Çipa i ftoi edhe vetë gazetarët beogradas të vijnë e të pushojnë në Sarandë këtë vit, pasi sipas tij, qyteti ofron gjithçka dhe Saranda, veç detit, ka dhe plot pika të tjera turistike për t’i vizituar. Në përshtypjet e gazetarëve beogradas, Saranda është një oaz i bukur mesdhetar. Gazetarja e RTSsë, Branka Kerkez, u shpreh se “këtu në Sarandë ndihem mirë, pasi gjithçka është e paqtë. Edhe turizmi po ashtu duket që po lulëzon, njerëzit janë mikpritës dhe mjaft të dashur. Mendoj se çmimet këtu janë të përballueshme për çdo vizitor. Kjo i hap rrugën edhe turistëve tanë që të vijnë këtu dhe të kalojnë ditët e verës, pasi kam dëgjuar se mjaft vizitorë nga Ballkani dhe Europa kanë zgjedhur prej vitesh Sarandën, si vend për të kaluar pushimet”. Gazetarja Kërkez shprehu dëshirën për të kaluar pushimet e verës bashkë me familjen e saj në Sarandë. Ndërsa kolegu i saj, Marko Petkoviç, u shpreh se ardhja në Shqipëri kishte qenë e planifikuar kohë më parë. “Tani u bë e mundur që të vijmë e të shikojmë nga afër të gjithë vendin tuaj. Përgjatë gjithë rrugës, nga Shkodra e deri këtu, kemi parë vende të bukura në të gjitha ato qytete ku kemi qenë. Njerëzit janë miqësorë me ne, ushqimi po ashtu është i përkryer, e veç kësaj, vërehet një zhvillim urban për t’u pasur zili. Mua personalisht më ka bërë përshtypje mikpritja e njerëzve të këtushëm, çka është një traditë që dhe ne e trashëgojmë nga të parët tanë”, u shpreh gazetari i “BLIC”, Marko Petkoviç. Grupi i gazetarëve serbë u largua nga Saranda me përshtypjet më të mira dhe me premtimin se pas vizitës së tyre këtu në Sarandë ata do të shndërrohen në përçues të Sarandës turistike për bashkëkombësit e tyre për ta vizituar këtë qytet që, siç edhe u shprehën vetë ata, është bukuria e Mesdheut.
http://www.panorama.com.al/kronike/turizmi-bregdetar-gazetare-serbe-ne-qytetin-e-sarandes/ 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate