16 marzo 2013

Berati mes dokumentesh të Arkivit Osman


Që nga numërimi i popullsisë, te mjeshtërit e kalldrëmeve, pronat, tërmeti, ndërrimet e krerëve fetarë…  Të gjitha në një ekspozitë me dokumente të rralla, që vijnë prej mesjetës në ditët tona. Në pallatin e kulturës “Margarita Tutulani” në Berat është hapur ekspozita “Berati në dokumentet e arkivit osman”, përgatitur nën titullin simbolik “Ura e kulturës që lidh Bagxhëllarin me Beratin”, për nder të organizatorëve të kësaj ekspozite. Në një ditë feste pagane, në Ditën e Verës, e cila në të vërtetë vetëm me stinën plot diell nuk ngjante, u hap një ekspozitë e veçantë, me rëndësi sa historike, aq edhe artistike. Kjo ekspozitë, rezultat i një bashkëpunimi mes Bashkisë së Beratit dhe Bashkisë turke Bagxhëllarin- Stamboll, përbëhet nga 30 dokumente që ruhen në Arkivin Osman të Kryeministrisë së Turqisë në Stamboll. Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë përfaqësues të bashkisë vendëse, kryebashkiaku Fadil Nasufi,  dhe përfaqësues të Bashkisë turke të Bagxhëllarit dhe të Ambasadës Turke në Tiranë. Sipas përfaqësuesit turk, “turqit dhe shqiptarët janë dy popuj të afërt me njëri-tjetrin, të cilët kanë ditur të zhvillojnë kulturën dhe bashkëjetesën mes tyre, që nga koha kur historia i prezantoi me njëri–tjetrin në Ballkan”. Më tej u shpreh se këta dy popuj që kanë kaluar një kohë të gjatë së bashku nën sundimin e Perandorisë Osmane, kanë arritur të jetojnë në paqe me njëri- tjetrin në pjesën më të madhe të historisë, duke përjashtuar këtu rastet e ngjarjeve të padëshiruara që mund të kenë ngjarë hera-herës. Gjatë ceremonisë u fol sigurisht për qytetin e Beratit, i cili ka qenë një qendër e rëndësishme tregtare gjatë Perandorisë Osmane.
Një nga dokumetet e ekspozuara në pallatin e kulturës “Margarita Tutulani” në Berat
Dokumentet
Dokumentet e prezantuara në ekspozitën “Berati në dokumentet e arkivit osman” janë përzgjedhur nga një periudhë e gjatë kohore mes viteve 1530 dhe 1912. Pjesa më e madhe e tyre kanë të bëjnë me kazatë dhe nahijet e Beratit dhe me vetë qytetin e Beratit gjatë sundimit osman. Të gjitha këto dokumente ishin të përfshira edhe në një album, ku ashtu si dhe në ekspozitë prezantohen edhe 3 fermanë, që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Beratin, por me zona përreth tij, si Vlora, Delvina dhe Shkodra. Sipas organizatorëve të ekspozitës, këto dokumente janë përfshirë në këtë ekspozitë, pasi gjenden në fondin e Fermaneve të Stolisur, në të cilin përmblidhen kopjet më të rralla dhe më të bukura të fermaneve nga aspekti estetik, pamor dhe artistik. Gjatë përzgjedhjes së këtij numri të kufizuar dokumentesh, historianët turq janë munduar të përzgjedhin ato, që përcjellin një mesazh sa më të gjerë tematik. Prandaj në libër gjenden dokumente që kanë të bëjnë me numërimin e popullsisë për arsye financiare të banorëve të qytetit të Beratit në organizimin administrativ osman, emërimet në administratën osmane të dizdarëve, myezinëve etj., ndërrimi i metropolitit nga i cili varet edhe Berati, mytevelitë e vakëfeve, mbledhja e taksave, dërgimi i mjeshtërve të kalldrëmeve nga Berati për në Stamboll, tërmeti në Berat, pronat e sulltanit në Berat, kërkesa e autonomisë së Shqipërisë, veprimtaritë botore, ndihma me zahire si ushqim për nevojtarët etj. Gjithashtu në libër janë përfshirë në formë të gjerë një përmbledhje e informacioneve në lidhje me Beratin, të cilat gjenden në veprën “Sejahatname” të Evlija Çelebisë. Po ashtu janë përfshirë, në një gjuhë të thjeshtuar, edhe faqe të vjetarit të vilajetit të Janinës, në të cilat flitet rreth Beratit.
DILAVER XHELILI
Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/03/15/berati-mes-dokumentesh-te-arkivit-osman/#ixzz2NfAjodrd

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate