11 marzo 2013

Dëshmi të reja të trashëgimisë ilire në Berat Mars-2013


11 MARS 2013 ­ 09:19

NGA DRITAN ÇOKU

Kodra e qytetit të fortifikuar të Beratit ka formën e një trekëndori të çrregullt të rrethuara me mure që formojnë anët e gjata të lakuara, prej të cilave ajo lindorja arrin deri në 600m gjatësi, ndërsa ana veriperëndimore dhe jugperëndimore nga 400m, seicila.
Kështu muret rrethuese të periudhës qytetare ilire duke iu përshtatur terrenit të kodrës arrijnë një gjatësi prej 1400m seicila. (Apollon Baçe, Qyteti i fortifikuar i Beratit, “Monumentet” 2, 1971, Mihal Duri, Tiranë, 1971, f.43) Edhe në Berat duket se linja e murit mesjetar ndjek linjën e fortifikimit antik, siç konstatohet në vendet e tjera. (Kamilo Prashniker, Arnold Shober, Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të zi, Tiranë, 2003, f.62)
Inventarit të periudhës qytetare ilire, përveç fazës së parë të mureve të kalasë, qeramikës, objekteve metalike dhe kocke, monedhave etj, i shtohet edhe një kionisk (kolonë që vihej mbi varr, me emrin e të vdekurit në Greqinë e lashtë), i cili është e vetmja dëshmi deri tani në aspektin e gurëve funerarë si një dëshmi e trashëgimisë ilire në kalanë e Beratit.
Brenda kishës së shën Jan Theologut (Gojartit) K­031 në kalanë e Beratit, në vendin pranë altarit, bën pjesë një kionisk (fig.1) që mesa duket nuk është vrojtuar me kujdes dhe nuk i është dhënë rëndësia e duhur. Jo vetëm ky element funerar që kemi evidentuar për t’a nxierrë në pah dhe për t’u bërë objekt studimi në të ardhmen, por mjaft objekte të tjera me rëndësi si “vlerë arkeologjike” (shih, Ligj Nr.9048, datë 07.04.2003, Për trashëgiminë kulturore (i ndryshuar, Neni 3, pika. 29), “objekte me vlera unikale”(po aty, Neni 3, pika 18) që gjenden në Berat, fatëkeqësisht nuk janë të ekspozuar dhe një pjesë e konsiderueshme nuk janë të inventarizuar.
Koncepti i sotëm i trashëgimisë kulturore është rezultat i procesit të lidhur me zhvillimin e shoqërisë moderne, vlerat dhe kërkesat e saj. Tendenca e sotme është që trashëgimia kulturore të kuptohet sa më shumë në tërësinë e saj, si diçka që përmban të gjitha shenjat që dokumentojnë aktivitetet dhe arritjet e qënieve njerëzore në rrjedhën e kohës.(Bernard M.Feilden, Jukka Jokilehto, Udhëzues për menaxhimin e trashëgimisë kulturore botërore, Kapitulli 3, Vlerësimi për konservim, “Gent Grafik”, Tiranë, 2010, f.13)
Objekti: Kionisk ­ Përmasat e të cilit janë: gjerësia 39 cm, gjatësia 48 cm dhe lartësia 80 cm (lartësia e pjesës kuboide është 51 cm, ndërsa lartësia e shtyllës cilindrike është 29 cm). Këto pjesë skulpturore funerare, i trashëgojmë nga periudha e antikitetit, më saktë në periudhën qytetare ilire (520 p.e.s.­168 p.e.s.).
Për të treguar vendin e urnës (arkëz guri katërkëndore ose cilindrike, me kapak, e thellë, e përdorur për mbajtjen e hirit të një të vdekuri) u përdorën gjerësisht kionisket, që ishin shtyllëza cilindrike guri me lartësi 30­50 cm, me emrin e të vdekurit dhe formulën haire (lamtumirë). (Neritan Ceka, Muzafer Korkuti, Arkeologjia, Libri Universitar, Tiranë, 1998, f.353) Mirëpo kioniksu që kemi evidentuar ne, nuk ka asnjë mbishkrim.
Pak e pazakontë është edhe vrima që ka sipër, të tjerët nuk e kanë. Pasi u konsultova me arkeologen e njohur Prof. As. Dr. Iris Pojani (gjej rastin e veçantë edhe ta falenderojë), ajo mendon se ka qenë i tillë (kionisk) fazën e parë, por duket se në fazën e dytë është ripërdorur dhe është prerë! Edhe thellimi është bërë në një fazë të dytë!
Gurët e varreve përbëjnë kategorinë më të përhapur të mbishkrimeve. Forma e gurit ku realizohej mbishkrimi është një stele katërkëndëshe, e kurorëzuar sipër me një frontal ku vendoset zakonisht një kokë meduze. Në fushën katërkëndëshe të stelës gdhendej në reliev, që paraqiste zakonisht skenën e ndarjes së të vdekurit nga familja ose darkën e fundit.
Një formë tjetër, tipike për shtresat e varfra, ishte kionisku, një shtyllëz cilindrike ku gdhendej mbishkrimi. Kjo formë hyn nga fundi i shek.III p.e.r. lidhur me kalimin nga varrimi në trup në varrimin me urna.(Po aty, f.361) Gjatë shek.II­I p.e.s. ilirët dëshmohen drejtpërdrejtë në jetën e ngulimeve helene nga emrat e mirëfilltë që ndeshen në një numër të madh në mbishkrimet e varreve të Dyrrahut dhe të Apolonisë.
Ato i gjejmë veçanërisht në kionisket.(Po aty, f.354) Ashtu si dhe në shembuj të tjerë edhe në një kionisk që është zbuluar në Kozare të Beratit me mbishkrim TΕΜΙΤΕΥΤΑ CΕΙΛΙΑ XΑΙΡΕ (shih. fig.30, Vangjel Toçi, Të dhëna mbi elementin ilir në Dyrrah në dritën e zbulimeve të reja arkeologjike, “Studime Historike” 2­ 1972, Mihal Duri, Tiranë, 1972, f.107), emri Teuta konsiderohet si një nga emrat më përfaqësues ilirë.
Një tjetër stelë varri prej guri gëlqeror (fig.2) ndodhet në Kozare, nën dritaren e absidës, e murosur nga jashtë në kishën e Ungjillizimit. Për kishën është shkruar në literaturë, por stela e varrit nuk është e përmendur. Zgjidhja kompozicionale është interesante, megjithëse me vlera të pakta artistike

Brenda kornizës, anash saj dy shtylla me kapitele korintike është paraqitur në relief një skenë e lamtumirës së fundit. Në të majtë shihet një grua (e vdekura) është paraqitur e ulur mbi një fron në çastin e dhimbshëm të ndarjes nga të afërmit. Ajo është veshur me kiton e himation, pjesa e kokës e dëmtuar.
Përpara gjunjëve të saj qendron në këmbë një figurë gruaje edhe kjo me të njëjtën veshje, por edhe kësaj pjesa e portretit nuk i duket, e cila takon të vdekurën për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Pranë saj një figurë tjetër e veshur me himation, por i mungon koka. Në të djathtë është paraqitur një burrë në këmbë, portreti jo i qartë, i punuar sipërfaqsor, pa i shquar tiparet.
Poshtë fronit bust i një fëmije pak i paqartë, mund të jetë skllavi. Pjesa e poshtme e kornizës ku mbyllet skena është e dëmtuar, gjë që po të ishte e plotë mund të kishim vënë re ndonjë mbishkrim. Stela e varrit e përdorur në murin e absidës gjen paralele me një stelë varri të një familjeje ilire nga Apolonia e ndarë në tri plane, ku paraqiten nga lart­poshtë tre breza në lamtumirën e fundit. (Shih fig.241, Neritan Ceka, Muzafer Korkuti, Arkeologjia, Libri Universitar, Tiranë, 1998, f.349) Mbi kornizën e kësaj skulpture funerare punuar në relief një shqiponjë me krahë të ulura, në sqepin e saj një gjarpër.
Një dukuri tjetër e sëndertizuar në monumente arkeologjike të një kohe të lashtë e dokumentuar në mbarë truallin ilir e më gjerë, është lufta e shqiponjës me gjarpërin. Shqiponja këtu, sipas mitologëve, përfaqëson fuqinë e dritës, që lufton kundra fuqive të errësirës nëntokësore, e simbolizuar me gjarpërin.
Gjarpëri përfaqëson botën nëntokësore, errësirën përtej varrit, hadin. (Jaho Brahaj, Flamuri i kombit shqiptar, origjina, lashtësia, Gjergj Fishta, Tiranë, 2007, f.12,13) Kult tjetër më i përhapur në Iliri ishte ai i dragoit (dracoi, draccena) – gjarpërit me të cilin mitologjia lidh emrin e ilirëve.
Dëshmitë e këtij kulti përveç se e gjejmë në monedhat e Amantias dhe Bylisit e hasim edhe në arkitekturë, fillimisht në kishat paleokristiane, në Paleokastër, ku simboli kryesor është gjarpëri, dhe në Antigone ku simbole kryesore janë dragoi dhe gjarpëri. Paraqitja e këtij simboli vazhdoi pa ndërprerje deri në ditët tona.
(Apollon Baçe, Vështrim mbi besimin dhe arkitekturën e kultit tek ilirët “Monumentet” 2/1984, Mihal Duri, Tiranë, 1984, f.6,7) Hasja e këtij simboli në trajtën e gjarpërit të shtëpisë ose vitores, thuajse në tërë krahinat e vendit tonë dëshmon nga ana tjetër për një qëndresë ideologjike dhe për vazhdimësinë etnike.
(Apollon Baçe, Arkitektura e dy kishave paleokristiane dhe varreve në kështjellën në Paleokastër, “Monumentet” 15­16, 1978, Mihal Duri, Tiranë, 1978, f.82) Gjarpëri ishte mbrojtësi i vatrës familjare, kafsha ktonike më e rëndësishme e lidhur me kultin e stërgjyshërve dhe me kompleksin magjik­fetar të pjellorisë së tokës e të gruas.
Kulti i kësaj kafshe mistike dokumentohet në radhë të parë nga burimet historike. (Aleksandar Stipçeviç, Simbolizëm ilir e simbolizëm shqiptar, “Studime Historike” 2­1973, Mihal Duri, Tiranë, 1973, f.132) Natyrisht, që gjatë studimit dhe zbërthimit të simboleve ilire shohim kuptime të caktuara, magjike, kultike.
Ilirët qëndrojnë në krye të historisë jo vetëm të Shqipërisë, po edhe të popullit shqiptar. Shqiptarët jetuan e punuan gjatë shekujve mbi një bazë antike, si trashëgimtarë e vazhdues të saj në plan të ri e më të lartë. Ilirët e kultura e tyre janë një nga faktorët që kanë përcaktuar trashëgiminë historike e kulturale të shqiptarëve të sotëm. (Aleks Buda, Ilirët e jugut si problem i historiografisë, “Studime Historike” 3­1972, Mihal Duri, Tiranë, 1972, f. 7)
Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com 
Redaksia Online (b.m/shqiptarja.com)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate