14 aprile 2014

Durrës- Viti 2014, më shumë kroçera turistike në port

krociera turistike (1)Durrës, 14 Prill /ATSH-Gëzim Kabashi/. Gjatë këtij viti në portin e Durrësit do të mbërrijnë më shumë kroçera turistike se sa vitet e kaluara. Nga burimet e Autoritetit portual të Durrësit konfirmohet se në vitin 2014 numri i anijeve të mëdha turistike do të arrijë në 30.
Ditën e dielë në portin më të madh të vendit u ankorua kroçera “Seven seas mariner” me 699 turistë në bord. Përfaqësuesi i agjencisë pritëse, Arjan Çyrbja tha për ATSH-në se deri në fund të muajit tetor të këtij viti vetëm kjo agjenci do të trajtojë 12 kroçera të tilla, me një numër udhëtarësh që disa herë arrin në 1200 vetë për çdo anije.
Këto janë lajme të mira për turizmin me kroçera, po të kesh parasysh se në këtë sektor ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe 4-5 agjenci të tjera pritëse. Gjithçka i shkon për shtat edhe deklaratave të ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto, i cili gjatë dy vizitave të tij në portin më të madh të vendit ka theksuar nevojën e përmirësimit dhe modernizimit të standardeve dhe kushteve të pritjes së kroçerave në Durrës. Në të njëjtën linjë drejtori ekzekutiv i APD, Selim Belortaja ka vlerësuar se një nga prioritetet e portit do të jetë hapja dhe bashkëpunimi i tij me qytetin.krociera turistike (3)
Edmond Basho, ekspert në një nga agjencitë e mëdha turistike të vendit, vlerëson se në përgjithësi, jo më shumë se gjysma e turistëve në bordin e kroçerës kanë parablerë ofertën turistike shqiptare për vizita në Krujë, Tiranë, e më rrallë edhe në Berat. Ata nisen të organizuar me autobuzë dhe guida drejt destinacioneve të përcaktuara, ndërsa pjesa tjetër dalin nga anija dhe porti për tu njohur drejtpërdrejt me qytetin e Durrësit. Një shans i mirë për bizneset e bulevardit kryesor dhe të bregdetit. E po ashtu një mundësi për t’i joshur ata drejt Amfiteatrit apo Muzeut etnografik. Fatmirësisht, të gjitha monumentet dhe objektet me vlerë në qytetin historik gjenden brenda një itinerari prej jo më shumë se 800 metra.
Këtë vit turistët e huaj do të orientohen më lehtë në Durrës falë 27 tabelave të detajuara me vendndodhjet dhe me informacionet e nevojshme dygjuhëshe për monumentet dhe objektet arkeologjike të qytetit me histori 3-mijëvjeçare. Pas këtij investimi bashkia pritet të verë në efiçencë të plotë Zyrat e informacionit turistik.krociera turistike (2) Po kaq i ngutshëm është prodhimi i fletë-palosjeve me planimetrinë dhe informacionet e nevojshme për muzetë, plazhet dhe restorantet me pjatat tipike të zonës. Kroçera e parë për vitin 2014 ka mbërritur në portin e Durrësit më 2 janar. Ajo solli 178 turistë, kryesisht nga Kroacia. Ajo do të pasohet nga 20 kroçera të tjera gjatë periudhës prill-tetor të këtij viti, ndërsa numri i anijeve turistike deri në fund të vitit pritet të jetë shumë më i madh./k.s/ http://www.ata.gov.al/durres-viti-2014-me-shume-krocera-turistike-ne-port-92630.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate