05 aprile 2014

Liqeni Artificial i Tiranes: Niveli i ujit ka shteruar, asnjë masë për ta “ushqyer”, C'po ndodh me te?

Bashkia e Tiranës: Projekti për rehabilitimin e tij është gati. Shkak, bllokimi i buxhetit

Shpresa Mezini
Liqeni artificial i Tiranes (1)Liqeni Artificial i Tiranës po shteron dita-ditës. Niveli i ujit thuajse nuk dallohet me sy të lirë, aq sa të krijohet ideja se e ka përpirë dheu. I vetmi liqen në Tiranë, një nga të vetmet pasuri natyrore, që i ka mbetur kryeqytetit, siç e cilësojnë ambientalistët, por që gjithsesi i lënë në harresë të plotë.
E ndërsa sheh sesi shkatërrohet dita-ditës, Liqeni Artificial duket kokulur përpara parkut të madh, ndërtesave e bareve luksoze, që ngrenë krye përreth tij.
Në bregun më të afërt, në hyrje të parkut të madh, shtrihen mbeturina nga më të larmishmet. Aroma e rëndë që ndien, ndërsa i afrohesh, gati të merr frymën. Në një kohë, që ky është i vetmi park, ku presupozohet se qytetarët duhet të dalin për të bërë ecje të lehta, vrap, shëtitje me vogëlushët, për të çlodhur sytë apo për të marrë ajër të pastër, zhgënjimi që përjeton ndërsa futesh në brendësi të tij është gati e papërshkrueshme.
Trishtimin e shton edhe më shumë ngjyra e tjetërsuar e ujit në sipërfaqe nga larg, por edhe në thellësi nga afër, ky i fundit, guxim i më kuriozëve. Çuditshëm vëren sesi uji çdo ditë e më shumë po thahet, sepse për sa i takon të “ushqyerit”, ngjan me ato gjellët e luksit, të rreth 20 viteve më parë, që as që mund t’i imagjinoje e jo më t’i shihje mbi tryezë.
Uji nuk qarkullon më si dikur, duke e kthyer Liqenin Artificial, pa pikën e mëshirës në një kënetë të shëmtuar, që ngjall veç neveri. Por, prapëseprapë, ajo që të bën përshtypje më shumë është se qytetarët, nuk e kanë “tradhtuar” Liqenin Artificial, i vetmi në kryeqytet. Ai në fakt është tradhtuar prej autoriteteve përgjegjëse, të cilët sot e kësaj dite, në dijeni të plotë, për situatën aktuale ku ndodhet liqeni, neglizhojnë të vënë dorë. E në fakt, në këtë gjendje, që është katandisur, me siguri nuk do të dinin as nga t’ia nisnin.
Liqeni Artificial po shkon drejt tharjes së plotë. E sidomos kur përpara është stina e nxehtë e verës, se në dimër shiu arrinte gjithsesi të shuante “etjen” e tij, ndonëse jo ta “ngopte”.
Liqeni artificial i Tiranes (2)Kohë më parë, Bashkia e Tiranës premtoi se një nga sfidat e para dhe urgjente të këtij institucioni ishte ndalimi me çdo kusht i degradimit të mëtejshëm të parkut. Por, në realitet ndodhi e kundërta. Liqeni Artificial, që shtrihet në zemër të parkut të madh, po degradohet edhe më shumë, ndërsa askush nuk ndien keqardhje.
Nisur nga situata problematike që paraqitet në këtë liqen, të pyetur nga gazeta “Shqip”, burime zyrtare në Bashkinë e Tiranës, sqarojnë se mungesa e parave, si pasojë e bllokimit të buxhetit nga ana e qeverisë, është shkaku pse nuk po ndërmerr masa për tjetërsimin e Liqenit Artificial.
“Gjendja aktuale e Liqenit Artificial është e njëjtë me atë të dy apo tri viteve më parë. Bashkia e Tiranës, prej kohësh ka hartuar një projekt të detajuar për rehabilitimin e Liqenit Artificial të Tiranës dhe parkut përreth saj, por duke qenë se qeveria i ka bllokuar buxhetin këtij institucioni, realizimi i projekteve të bashkisë, ka mbetur pezull, pasi krahas atij të rehabilitimit të liqenit, në listë renditen edhe të tjera, që nëse do ishin zbatuar do t’u kishin shërbyer qytetarëve në radhë të parë, shpjegojnë burime zyrtare në Bashkinë e Tiranës. http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/04/04/liqeni-artificial-niveli-ujit-ka-shteruar-asnje-mase-per-ta-ushqyer/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate