09 aprile 2014

Mushkonjat, plan veprimi për dezinsektimin në zonat bregdetare

Ministri i Shendetesise Ilir Beqaj ne Divjake Foto ATSHTIRANË, 9 Prill/ATSH-Eriola Çuko/ – Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik do të nisin këtë vit zbatimin e planit të veprimit për dezinsektimin, me synimin për të hartuar më pas një program afatgjatë ne vend. Plani i veprimit të këtij viti për dezinsektimin do të nisë në maj, të ndara në 5 periudha zbatimi deri në shtator. Zonat ku do të shtrihet janë ato bregdetare, duke nisur nga Shkodra deri në Sarandë, ndërkohë që teknika që do të përdoret synon jo vetëm dezinsektimin por edhe mbrojtjen e biodiversitetit.
Programi u lançua nga Divjakë, një nga zonat më problematike për praninë e mushkonjës. Drejtuesit lokalë e cilësuan këtë program, që ndërmerret për herë të parë pas 25 vitesh, si shumë të rëndësishëm për zonën nga pikëpamja turistike dhe në aspektin shëndetësor. Divjaka është vend me turizëm veror dhe këto insekte ndikojnë në mënyrë negative edhe në të. “Shqipëria mbetet një vend problematik në lidhje me sëmundjet që përhapen përmes vektorëve. Malarja ka 45 vite që është çrrënjosur, por vektori i saj ekziston në terren dhe në çdo moment mund të pëbëjë rrezik potencial për përhapjen e sëmundjes”, tha drejtori i ISHP-së, Arjan Bregu.
“Ka qenë një kerkesë e veçantë e kryeministrit Edi Rama, me nxitjen edhe të deputetëve të Qarkut të Fierit, për t’u marrë me çështjen e mushkonjave qoftë në funksion të kujdesit të shëndetit, qoftë dhe në funksion të krijimit të mjedisit, të kushteve më të përshtatshme për zhvillimin e turizmit”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Beqaj bëri të ditur se MSH ka trajtuar një plan specifik, është ngritur një grup pune dhe është kërkuar asisutencë e huaj. Ndërkohë, sipas tij, ndërhyrjet e para do të nisin në maj dhe do të jenë të ndara në 5 periudha deri në shtator. “Procesi që kryejmë tani quhet dezinsektim, janë të përcaktuara zonat ku do të duhet të ndërhyjmë.  Ky proces bëhet për herë të parë pas 25 vitesh dhe  qëllimi kryesor është rritja e sigurisë për qytetarët, operatorët ekonomikë që merren me turizmin, si dhe për banorët që jetojnë në zonat përreth bregdetit”, theksoi Beqaj.  Ndërhyrjet, sipas tij, do të jenë në zonat urbane, si edhe në zonat ligatinore, një pjesë e të cilave janë dhe zona të mbrojtura, çka shton domosdoshëmrinë për mbrojtjen e biodiversitetit. Për këtë, grupi i punës ka në përbërje përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe ajo e Turizmit.Pamje nga Divjaka Foto ATSH
“Duke qenë se në zonën tonë bregdetare ka një numër të madhe ligatinash që janë dhe zona të mbrojtura nga konventa kombëtare dhe ndërkombëtare do të synohet që plani i veprimit të jetë në përputhje me zbatimin e ligjshmërisë, që do të thotë që do të kontrollojmë mushkonjat, por duke ruajtur biodiversitetin pa shkaktuar ndikime në mjedis apo organizatat e tjerë. Është përzgjedhur një lëndë biologjike dhe nuk ka më përdorim të insekticidive si dikur, por tashmë do të jetë një lëndë që nuk asnjë lloj impakti në bioorganizmat ujorë”, sqaroi Enkeleda Dikolli Velo, shefe e Sektorit të Kontrollit të Vektorëve në Institutin e Shëndetit Publik. Sipas saj, synohet që kontrolli i mushkonjave të realizohet në fazën ujore. Është shumë efektiv dhe është teknikë që përdoret në vendet e zhvilluara si Francë, Itali, etj. Ndaj kemi bërë një vlerësim të situatës, nuk mendojmë të mbulojmë të gjithë territorin brenda një viti dhe kemi zgjedhur disa zona target që do të fillojmë këtë vit. Aplikimet do të jenë si nga toka dhe nga ajri dhe do të jenë me asistencë të specialistë të huaj”, shtoi ajo, ndërsa theksoi se ekperienca e këtij viti do të jetë si bazë për të hartuar një program që do të jetë afatgjatë.
Në vend qarkullojnë 43 lloje mushkonjat, ndër të cilat ka lloje që janë shqetësuese bezdisëse, nëpërmjet pickimit që kanë gjatë ditës, por kemi praninë të 13 lloje anofelesh që janë përgjegjëse për transmetimin e malarjes, ndërkohë që në zonat urbane shqetësuese është prania e mushkonjës tigër, e pranishme ne vend që në vitin 1979. Për këtë, synohet pjesëmarrje e komunitetit në fushatat e shëndetit publik.  Ndërkaq, Dikolli Velo tha se malarja është shfarosur ne vend që prej viteve ’60 dhe aktualisht nuk ka asnjë rast autokton./a.g/ http://www.ata.gov.al/mushkonjat-plan-veprimi-per-dezinsektimin-ne-zonat-bregdetare-90295.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate