18 aprile 2014

Vlorë- Po zhduken pemët e rralla në Tragjasin e Vjetër

-Vëzhgim-
Tragjasi i vjeter Vlore (1
Tragjasi i vjeter, Vlore
Vlorë, 18 prill/ATSH-H.Koçi/.- Vlerat e fshatit Tragjas i Vjetër, 20 km në jug të Vlorës, i shpallur monument kulture, rrezikojnë të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme.
Pemët që plotësojnë mjedisin e kësaj qendre të dikurshme urbane, mes të cilave edhe drurë të rrallë dhe unikalë, siç është ilqja, po priten nga persona të papërgjegjshëm. Burime nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, thonë për ATSH-në se, pemët e rralla të këtij mjedisi historik, me vlera të rralla arkitekturore e historike, vazhdojnë të dëmtohen. Po zhduken vlera të rralla e të pakthyeshme, të cilat i japin një bukuri të veçantë këtij fshati që është edhe një nga monumentet kulturore më të spikatura në Vlorë.
Ky shqetësim që është krijuar prej vitesh është prezantuar edhe pranë Bashkisë së Orikumit dhe Ndërmarrjes së Shërbimit Pyjor, por nuk është marrë asnjë masë për të parandaluar këtë problem.
Ndërkohë, pemët e rralla priten në mes të ditës, ndërsa ruajtja e mjedisit është në kompetencë të qeverisjes vendore dhe strukturave të mbrojtjes së pyjeve.
Tragjasi i Vjetër, ndodhet në kreshtën e disa kodrinave, që shfaqen papritmas, pas kthesave të shumta, në një lartësi prej më shumë se 300 metra mbi nivelin e detit. Në hyrje të këtij fshati, që në fakt, tashmë është vetëm një mori ngrehinash gjysëm të shkatërruara, krijon një perceptim për atë që ka qenë krijuar këtu prej shekujsh. Kanë kaluar rreth 70 vjet qëkurse ky ngulim është braktisur prej banorëve të tij të dikurshëm, por këtu jeta vazhdon të jetë e gjallë.Tragjasi i vjeter Vlore (2) Ajo perceptohet në gjithë këtë mjedis, ndonëse ngrehinat janë gjysmë të rrënuara, të mbetura në këtë gjendje, pas atij momenti kur fshati u shkatërrua dhe u dogj nga pushtuesit gjermanë, në atë vit të largët të 1944-ës. Banorët u larguan prej këtu, për t’u zhvendosur poshtë në luginë, shumë më pranë bregut të detit ku është sot fshati. Por, pas lanë kujtimet e prindërve, të gjyshërve, lanë një histori shumë të pasur të ndërtuar nga këta njerëz, por edhe një traditë të shquar në ndërtim.
Tashmë Tragjasi i Vjetër ka nisur të vizitohet nga njerëzit, por edhe nga të huajt, që zbulojnë aty vlera tërheqëse të historisë dhe të traditës në ndërtim. Pak vjet më parë, një arkeolog francez që vizitoi rastësisht këtë vend, u befasua nga ajo që pa. “Është një vend përmes të cilit ju mund të tërhiqni mjaft turistë, nëse do të investoni”, u shpreh ai. Diçka është bërë në këtë drejtim Është ndërtuar rruga dhe përshtatur sheshi i fshatit. Më tej, u restauruan edhe disa objekte brenda tij, ku përfshihet edhe çezma dhe varri monumental i patriotit Alem Mehmeti. Më tej është menduar të rikonstruktohen edhe disa nga banesat më të mirëmbajtura.
Sheshi i këtij fshati, i shpallur monument kulture, është një nga elementët kryesorë referues të të gjithë mjedisit arkitekturor që përfaqësohet nga ndërtesa të vjetra që pasqyrojnë traditën e hershme të kësaj zone.
Tragjasi i vjeter Vlore (4)Projekti i restaurimit që përfundoi disa vjet më parë, ndonëse jo i plotë, ka ridimensionuar vlerat arkitekturore e historike të këtij fshati. Por, pemët e rralla që po dëmtohen përbëjnë elementë të rëndësishëm në tablonë e vlerave të tij.
Në tërësi fshati Tragjas i Vjetër, ka nisur të shndërrohet në një resurs në funksion të zhvillimit të turizmit. Ky fakt favorizohet edhe nga pozicioni gjeografik i fshatit, në zonën bregdetare të Orikumit.
Ai është vizituar gjatë muajve të verës nga qytetarë nga rrethe të ndryshme të vendit si dhe nga të huaj, turistë nga Maqedonia, Mali i Zi, Franca e Italia. Por, Tragjasi i Vjetër mund të shndërrohet në një referencë për vlerat kulturore në funksion të zhvillimit të turizmit.
Sipas historianëve ky vendbanim është ndërtuar në fund të shekullit XIV dhe fillim të shekullit XV, nga Gjergj Arianiti, babai i Donika Kastriotit.
Tragjasi i Vjetër ka një histori të pasur, që nis prej lashtësisë. Mendohet që zanafilla e kësaj qendre të banuar, të jetë diku në shekullin VI para Krishtit.
Gjatë udhëtimeve të tij, piktori i famshëm Eduard Lir, ka ardhur në Tragjasin e Vjetër, ku ka qëndruar një natë. Sipas historianëve, ai ishte mrekulluar nga natyra dhe pozicioni gjeografik i fshatit. Mendohet që ai të ketë qëndruar diku, në veri të fshatit, pranë shkollës së dikurshme dhe prej andej ka krijuar një nga tablotë e tij më të njohura./k.s/ http://www.ata.gov.al/vlore-po-zhduken-pemet-e-rralla-ne-tragjasin-e-vjeter-95044.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate