01 agosto 2014

Kur shqiptarët hidhnin valle në mes të luftës ,"Përthyerje vizionesh" është titulli i ekspozitës që hapet sot 1/8/2014 në Skelë të Vlorës, me fotografi të ardhura nga Muzeu i Luftës në Romë


Kur shqiptarët hidhnin valle në mes të luftësTIRANE - "Përthyerje vizionesh" është titulli i ekspozitës që hapet sot në Skelë të Vlorës, me fotografi të ardhura nga Muzeu i Luftës në Romë. Këto fotografi janë imazhe të rralla të Luftës së Parë Botërore, e parë me sytë e oficerëve italianë në frontin shqiptar.
Ekspozita prezanton 40 fotografi, shumica e të cilave shfaqen për herë të parë. Ajo do të qëndrojë 2 ditë në Vlorë, për t'u shfaqur më pas, dy ditë në Sarandë dhe dy ditë në Tepelenë. Në to mund të shihen imazhet e shqiptarëve të Vlorës, Tepelenës e deri në Leskovik një shekull më parë. Mund të duket pak e 'çuditshme', por në mes të Luftës së Parë Botërore, shqiptarët kanë hedhur edhe valle. Fotot që boton sot "GSH", marrë prej ekspozitës, tregojnë dy imazhe ku shqiptarët me qeleshe, me opinga dhe me fustanella kanë marrë vallet e jugut, ndërsa shokët e luftës qëndrojnë mënjanë me kobure në dorë e pushkë në krah. Ata, në njërin prej imazheve janë vendosur në një rrafshnaltë, e në tjetrin, kanë zënë vend, në një oborr shtëpish të rrafshuara, mbase nga lufta, veçse përkundruall tyre ka një muranë.
E, kur përballë ke këto foto, ndërmend të vjen episodi i njohur nga filmi "Skënderbeu", skena e njohur kur luftëtarë dasmorë, lënë dasmën dhe ikin në luftë. Kështu mund të ketë ndodhur edhe pas shkrepjes së këtyre fotove, pasi Lufta e Madhe që filloi plot 100 vjet të shkuara, solli ndryshime të mëdha në Europën e vjetër duke rrëzuar dinasti qindravjeçare e duke fermentuar revolucione të mëdha, të cilat sollën një rend të ri shoqëror. Të gjitha këto ndryshime nuk kishin si të linin pas edhe viset shqiptare, të cilat sapo kishin dalë nga një përgjumje e madhe orientale dhe po përballeshin me aksidentin. “Edhe pse Skela e Vlorës dhe vise të tjera shqiptare ishin vende të cilat ushtritë ndërluftuese i panë vetëm si vende strategjike, përgjithësisht kontakti i shqiptareve me ushtritë europiane la gjurmë të thella në kulturën dhe infrastrukturën e vendit. Ndoshta shumë pak shqiptarë e dinë se 100 vite të shkuara Shqipëria kishte një rrjet hekurudhor që shtrihej nga Shkodra për në Durrës, ku ishte fronti austro-hungarez si dhe nga Tirana në Durrës”, - thotë Auron Tare, drejtor i Agjencisë Kombëtare të bregdetit dhe organizator i ekspozitës. Ai kujton se, ushtria italiane ndërtoi rrjetin e dekovilit që lidhte skelën e Vlorës me viset në brendësi të vendit. Por jo vetëm së bashku me ushtrinë italiane shqiptarët panë një teknologji, të cilën nuk e kishin parë deri më sot ku krahas anijeve, nëndetëseve dhe avionëve ushtarakë, u hapën spitale, u hapën shkolla apo disa ferma bujqësore, të cilat kërkonin të sillnin kulturën perëndimore. Të njëjtën gjë po bënte ushtria austriake në veri, e cila kërkonte të sillte influencën e saj edhe në fushën e kulturës.
“Ekspozita e djeshme kërkon të përkujtojë këtë ngjarje të madhe të njerëzimit. Është një përpjekje modeste për të ndarë me publikun e zonave ku ka qenë fronti i luftës, kujtime dhe imazhe të kapura nga syri i oficerëve italianë. Edhe pse një përpjekje e qartë për propagandë falë këtyre imazheve, ne mund të njohim një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri e cila sot nuk ekziston”, - thotë Tare. Ekspozita organizohet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Agjencia Italiane e Tregtisë me ndihmën e Muzeumit të Luftës Romë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate