05 agosto 2014

Muzeu Arkeologjik i Durrësit nuk çelet në Gusht/2014, 3200 artefakte për restaurim

Muzeu Arkeologjik i Durrësit nuk çelet në Gusht, 3200 artefakte për restaurim
Muzeu Arkeologjik i Durrësit, një nga më të rëndësishmit dhe më të pasurit me objekte të trashëgimisë kulturore në vendin tonë vijon të jetë i mbyllur për publikun. Prej vitesh ky muze është shndërruar në një prej çështjeve më kryesore në institucionet muzeore, por fatkeqësisht ende vijon të jetë i mbyllur për publikun. Edhe pse një punë për rikonstruksionin e tij ka nisur që në vitin 2011, dhe ministrat e Kulturës së qeverisë së shkuar në çdo fillim viti pohonin se e kishin në vëmendje, sot rezultati është që ky muze vijon të jetë i mbyllur. Pranë Ministrisë së Kulturës zyrtarët pohojnë se në këtë muze duket sikur çdo gjë ka nisur nga e para, jo vetëm sa i takon rikonstruksionit, por dhe restaurimeve të objekteve, që nuk janë pak. Problematike nga puna që ishte bërë më herët në këtë muze, sipas MK ishte cilësia e punimeve që linte për të dëshiruar, ku stafi i ri në MK iu rikthye punës sërish për rikonstruksionin në shumë pjesë të muzeut, ndërsa 3200 artefakte prej vitesh të lëna në harresë nga ish zyrtarë të MTKRS sot kanë shumë probleme. “Muzeu Arkeologjik i Durrësit është në proces, ndoshta nuk e arritëm dot dëshirën tonë për ta hapur para sezonit, por do të bëjmë çmos për aq sa na i lejojnë afatet të përshpejtojmë ritmet dhe ky muze të hapet më në fund pas 4 vitesh bllokimi, me 3200 artefakte”, u shpreh ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro më herët në prezantimin e punës së MK në 300 ditë. Për mos-hapjen e këtij muzeu edhe gjatë sezonit veror, pranë MK pohojnë se shumë kanë marrë vëmendje dhe restaurimet e objekteve, që nuk ishin parashikuar që do të kishin kaq shumë probleme gjatë fazës së rikonstruksionit të muzeut. “Janë mbi 3000 objekte arkeologjike, dhe doli jashtë parashikimeve puna kaq e madhe që duhej për restaurimin e tyre, kjo solli dhe vonesën për hapjen e muzeut. Prej vitesh këto objekte ishin lënë në harresë, ndaj ka filluar dhe restaurimi i tyre, një proces që kërkon kohën e tij. Objektet ndodhen në katin e parë të muzeut dhe njëkohësisht aty punohet dhe për rikonstruksionin, por dhe për restaurimin e tyre. Në muze janë specialistët e IMK dhe të DRKK që po punojnë”, pohojnë zyrtarë të MK. Vendimi i ish qeverisë shqiptare për rikonstruksionin e muzeut daton në janar të vitit 2011. Ish Ministria e Kulturës në atë kohë akordoi 102 milionë lekë për përmirësimin e muzeut dhe koha e parashikuar për përfundimin e punimeve ishte 240 ditë, pra tetë muaj, por puna e bërë solli shumë punime pa cilësi dhe premtimi për hapjen e tij brenda tetë muajve mbeti në letër. Me ardhjen e drejtuesve të rinj në MK për këtë muze puna mori tjerë vëmendje, ku çdo gjë po shikohet me kujdes nga specialistët të cilët jo vetëm po merrem me ristrukturimin, por dhe me restaurimin e objekteve, të cilat ashtu si shumë të tjera të lëna në harresë dhe në mjerim nga institucionet në varësi të ish MTKRS sot kanë probleme duke mos lejuar dhe hapjen e muzeut. 
 
Muzeu 4 vjet i mbyllur, daton më 1982
 
Sipas MK, muzeu do të vijë i rikonceptuar, duke mbartur brenda tij periudhat e rëndësishme të historisë dhe arkeologjisë së qytetit. Në hyrje të krahut të majtë të muzeut pritet të ekspozohet periudha ilire dhe greke e hershme në tri fazat e saj, në atë të parë, klasike dhe më vonë apo siç quhet ajo e Aleksandrisë. Në pjesën ballore, përtej gjetjeve arkeologjike të përmasave të mëdha që janë vendosur në qendër të muzeut, fillon periudha romake nga ajo e hershme deri te periudha e ndërtimeve në krahun e djathtë të katit të parë. Në katin e dytë do të jetë periudha e mesjetës. Muzeu Arkeologjik i Durrësit vlerësohet si një ndër më të pasurit në rajon për sa u përket objekteve arkeologjike. Bashkë me rikonstruktimin, muzeu pritet të ketë dhe një pamje tjetër dhe në oborrin e tij, i cili këto vite ka qenë në një gjendje që të lë për të dëshiruar estetikisht. Muzeu Arkeologjik, i ndërtuar mbi bazën e një projekti të hartuar që në vitin 1982, ai është dëshmitar i veprimtarisë së një plejade të shquar arkeologësh, që drejtoheshin me pasion dhe kompetencë nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Vangjel Toçi. Ishte meritë e arkeologut të shquar Toçi, krijimi i këtij muzeu në vitin 1951, e më pas edhe zbulimi i monumenteve të njohura, si: amfiteatri antik (1966), termat romake (1963), mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” (1959) dhe ai i hipokampit (1947), e plot monumente të tjera në qendër dhe në periferi të qytetit. Nga Julia Vrapi
- See more at: http://www.sot.com.al/kultura/muzeu-arkeologjik-i-durr%C3%ABsit-nuk-%C3%A7elet-n%C3%AB-gusht-3200-artefakte-p%C3%ABr-restaurim#sthash.koi93E5X.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate