25 agosto 2014

Turi i karvanëve mesjetarë, Kalërimi është një prej mundësive më të mëdha të turizmit alternativ që të ofron tashmë qyteti i Gjirokastrës

Kalërimi është një prej mundësive më të mëdha të turizmit alternativ që të ofron tashmë qyteti i Gjirokastrës. Në këtë tur me gjatësi 160 km, marrin pjesë jo vetëm turistë nga Shqipëria por dhe kalorës profesionistë nga e gjithë bota, të cilët njohin nga afër bukuritë e jugut. “ Shqipëria ishte një mendim i rastësishëm për mua. Kam qenë në të gjitha vendet e ish-lindjes për të kuptuar diçka rreth tyre por Shqipëria më rezultoi krejt origjinale. Ky vend është shumë interesant dhe duhet ta mbështesë promocionin e tij në tri kolona : natyrën e mrekullueshme, historinë e vjetër dhe të re të kombinuar me elementët antikë , mesjetarë, atë që komunizmi ndërtoi ndryshe këtu dhe së fundi me njerëzit, mikpritjen dhe të përditshmen e tyre.”- shprehet nje turist i huaj. “Jam shumë e kënaqur me të gjithë atmosferën e krijuar këtu. Nuk kisha asnjë pritshmëri kur erdha por jam e bindur që kam përzgjedhur vendin e duhur për kalërim. Natyra njerëzit, kuajt që janë kaq të sigurt në një terren ekstrem ndonjëherë dhe mikpritja më ka befasuar. Ne jetojmë bashkë me njerëzit në shtëpitë e tyre, ndajmë vaktet në kuzhinat e tyre dhe kjo është diçka që nuk imagjinohet sot në Europë. Jam e lumtur që e kam njohur Shqipërinë” – shprehet nje turiste. Gjithë itinerari përmes kalërimit përfshin njohjen të qytetit të Gjirokastrës, komunave të Lunxhërisë,, Zagorisë, Pogonit dhe Libohovës, dhe kalimin në terrene të vështira, që të japin një ndjesi të jashtëzakonshme. “Ata e vlerësojnë këtë itinerar si ndër më të vështirët në Europë për shkak të nivelit të aftësive të kërkuara por edhe ndër më të bukurit për shkak të thyerjeve të shumta të terrenit, sfidave, bukurive të rralla natyrore dhe kulturore, faunës dhe florës së jashtëzakonshme. Gjatë këtij turizmi vizitorët njihen dhe me vlera të trashëgimisë kulturore si kisha, manastire, ura, teqe , banesa dhe objekte arkeologjike”- deklaron Ilir Hitaj, organizator turesh.--

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate