12 ottobre 2014

Kërkimet në Amfiteatrin e Durrësit, gati botimi me studimet shkencore që nga viti 2008

Amfiteatri i Durrësit është vlerësuar si unikal në botë, vlerësim ky që vjen dhe nga zbulimet arkeologjike në amfiteatër. Këto ditë kanë filluar punimet në amfiteatrin e Durrësit në kuadër të projektit shqiptaro-italian. Ky është një projekt, i cili ka nisur që në vitin 2004 në bashkëpunim me Universitetin e Parmës nën drejtimin e Prof. Sara Santoro dhe Prof. Afrim Hoti. Është një projekt i miratuar ndër vite nga Këshilli Shkencor i Institutit Arkeologjik dhe i pranuar gjithashtu nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) pranë Ministrisë së Kulturës. Tashmë ky projekt bashkëpunon me Universitetin e Chietit po nën drejtimin e prof. Sara Santoro dhe bashkëdrejtues Prof. Afrim Hoti dhe Dr. Elvana Metalla, kjo e fundit përfaqësuese e Institutit Arkeologjik pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Këtij projekti nuk i ka munguar dhe pjesëmarrja e specialistëve në fusha të ndryshme si dhe studentëve shqiptarë e të huaj, duke shkëmbyer eksperienca dhe duke e kthyer këtë si një shkollë mbi metodat e kërkimit arkeologjik. Janë zhvilluar gjithashtu  gjatë viteve seminare dhe konferenca me tematika të ndryshme mbi qytetin e Durrësit dhe zbulimet e reja arkeologjike. Punimet gjatë këtyre viteve janë përqendruar në pjesën juglindore të amfiteatrit, ku janë zbuluar një pjesë e galerive të amfiteatrit si dhe disa ambiente që i përkasin periudhës së mesjetës. Duhet theksuar se një pjesë e rezultateve shkencore të këtyre punimeve  kryesisht ato që i përkasin viteve 2004-2007 janë botuar në revistat e huaja të shkollës italiane të Athinës, me titull “Dyrrachium I”, ndërkohë në botim është edhe “Dyrrachium II”. Puna ka filluar në amfiteatër, ka marrë lejen dhe nga DRKK e Durrësit dhe nga KKA dhe synimet kryesore të këtij projekti për këtë vit janë jo gërmime të mirëfillta, por pastrime dhe plotësimin e dokumentacionit të të gjithë zonës së gërmuar gjatë këtyre viteve dhe përgatitjen për botim të rezultateve shkencore të gërmimeve nga viti 2008 e në vazhdim me qëllimin për të pasur një botim të plotë të të gjitha rezultateve të deritanishme. E gjithë kjo do të publikohet së shpejti në “Dyrrachium III”. Çdo vit zbulimet kanë qenë befasuese, fillimisht muret e një godine madhështore të shek. 12-13; më pas pesë skelete të banorëve, viktima të tërmetit shkatërrues të vitit 1273; një thesar i vogël me monedha të shek. 14, dhe lista e zbulimeve vazhdon. Tashmë po bëhen ndërhyrjet e fundit, në mënyrë që edhe publiku të prezantohet me rezultatet. Në të njëjtën kohë kjo që pritet të botohet në “Dyrrachium III” është një pjesë e dokumentimit të historisë së amfiteatrit.     Amfiteatri i Durrësit   Për amfiteatrin e Durrësit, i cilësuar si unikal në botë nuk kanë munguar dhe problemet, ku për ta ruajtur nga dëmtimet deri tani janë marrë disa masa. Një pjesë e rëndësishme mbetet transferimi i familjeve që banojnë në shtëpi, të ndërtuar mbi arenën e amfiteatrit. Ende nuk është bërë e mundur të zgjidhet përfundimisht lëvizja banorëve. Kjo do të mundësonte hapjen e plotë të arenës dhe krijimin e kushteve për rritjen e numrit të vizitorëve në monument. Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në shek. 1-2 pas Krishtit, në periudhën e perandorit Hadrian. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj. Në shek. 5 pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë. Monumenti është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Deri tani është zbuluar rreth gjysma e amfiteatrit, me pjesën perëndimore dhe veriore të shkallareve, si dhe një pjesë e galerive. Në fund të viteve '90 forcat e KFOR-it punuan për hapjen e arenës nga dherat. Arkeologët italianë të Universitetit "La Sapienza" të Romës dhe të Universitetit të Chieti - Pescarës, me ndihmën e aparaturave dhe teknologjive moderne kanë konstatuar se në arenë ka ndërtime ende të pazbuluara. Në mënyrë intensive gërmimet janë përqendruar në vitet 1967-1970, të cilat detyruan zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike. Nga Julia Vrapi -
 See more at: http://www.sot.com.al/kultura/k%C3%ABrkimet-n%C3%AB-amfiteatrin-e-durr%C3%ABsit-gati-botimi-me-studimet-shkencore-q%C3%AB-nga-viti-2008#sthash.8aAPqkiz.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate