04 novembre 2014

Rilindja e Alpeve për t’u rikthyer në destinacion turistik



Kryeministri Edi Rama, në Malësinë e Kelmendit ka qenë sot  për të inspektuar ecurinë e projekteve për kthimin e kësaj zone në një nga atraksionet e mëdha turistike të Shqipërisë
Kryeministri  viziton  Malësinë e Kelmendit
TIRANË, 4 Nëntor/ATSH- I. Vata/-Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Malësinë e Kelmendit për të inspektuar ecurinë e projekteve për kthimin e kësaj zone në një nga atraksionet e mëdha turistike të Shqipërisë.
Leqet e Hotit ku është ndërtuar një ndër 9 ballkonet panoramike dhe informacioni që parasheh ndërtimi i rrugës deri në Tamarë, rruga prej 29 kilometrash Tamarë-Vermosh e ndarë në dy lote, një prej të cilëve mbaron vitin e ardhshëm, qendra e komunës Tamarë, janë kantieret e punës që u inspektuan nga Kryeministri, përfundimi i të cilave do të bëjnë lehtësisht të arritshme këtë zonë, duke shkurtuar edhe kohën e udhëtimit deri në 1 orë e gjysmë, nga 3 orë aktualisht.
Kryeministri Rama në takimin me banorë të Tamarës, foli për projektin e Qeverisë për ta kthyer këtë trevë në destinacion turistik jo vetëm dimëror, por të shfrytëzueshëm përgjatë gjithë vitit dhe që peizazhi natyror të gërshetohet me karakteristikat alpine të zonës. “Ramë dakord edhe me kryetarin komunës për të vazhduar këtë projekt që ka nisur, për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që kanë këto njësi tregtare që të mund t’i kthejnë në identitet, duke ju dhënë një projekt, duke bërë dhe një financim ne, në mënyrë që të vendosen të gjitha çatitë siç kanë qenë dikur, në mënyrë që të vishen me gurë të gjitha fasadat,” tha Rama.
Ndërsa deputeti i zonës, Paulin Sterkaj, pas bisedës me Kryeministrin iu drejtua banorëve duke thënë se “Kryeministri sapo na la një detyrë për qendrën, për ta kthyer në identitetit, siç janë shtëpitë karakteristike të Kelmendit, jo në këtë nivel që është sot, por që të bëhet shumë atraktive për vizitorët nga mbarë Shqipëria.”
Por edhe Kryeministri mori një porosi të veçantë, një “amanet”, siç një i moshuar i Tamarës u shpreh:“Zoti Kryeministër, mirëserdhët. Hera e parë në historinë e Kelmendit që vjen një Kryeministër. Historia do ta shkruajë se na ka ardhur Edi Rama, një kryeministër. Se të tjerët nuk na kanë ardhur, as me Partinë e Punës dhe as me Demokracinë. Amanet po ta lë si plak që jam, fjalën që ta mbash, ta bësh ligj.”
Kësaj porosie, Kryeministri iu përgjigje me zotimin se “do të vij përsëri, kur të mbarojmë punimet,” duke shtuar me humor se “do të vij disa herë, me që të tjerë nuk kanë ardhur më parë.”
Një projekt shumë i rëndësishëm për rilindjen e kësaj treve është projekti i integruar i Alpeve. Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar me Malin e Zi, nëpërmjet fondeve IPA të KE do të realizohet edhe segmenti rrugor për në pikën e kalimit kufitar të Grabomës, me Malin e Zi. Ky fluks trafiku do të ketë edhe një impakt në përmirësimin dhe diversifikimin e ekonomisë në këto zona.
“Është një projekt shumë i madh dhe kompleks, projekti që kemi për gjithë zonën e Alpeve. Rruga do të shkojë e do të lidhet e tëra bashkë me komunitetin e shqiptarëve të Plavës dhe Gucisë. Në projektin e integruar të Alpeve përfshihet Mali i Zi, përfshihet dhe Kosova. Ne do të mbështetemi shumë fort tek njerëzit e zonës, sepse ka një potencial turistik shumë të madh natyror, por ka edhe një pasuri shumë të madhe kjo zonë, që janë njerëzit dhe që është aftësia juaj për mikpritje”, u shpreh Rama.
Në inspektimet e punimeve ishte sot edhe një përfaqësues i Bashkisë së Plavës në Malin e Zi, i cili dëshironte të shfrytëzonte rastin për të përshëndetur dhe falenderuar publikisht Kryeministrin, siç ai tha “për iniciativën, për hapat konkretë që keni marrë, për pritjen që na keni bërë në Tiranë, në zyrën tuaj, dhe për mbajtjen e premtimeve, të cilat i keni realizuar tani, konkretisht, në terren.”
Për Kryeministrin Rama, zhvillimi i integruar në infrastrukturë do të forcojë edhe lidhjet e bashkëveprimin ekonomik.“Vetëm nëpërmjet këtyre projekteve të integruara dhe vetëm nëpërmjet këtij ndërveprimi, ne mund të arrijmë atë bashkim të madh, që shumëkush në mënyrën komplet të gabuar e kërkon nëpërmjet nacionalizmave, kurse ne e bëjmë me punë dhe s’kemi nevojë fare të merremi me kufijtë. Kufijtë të rrinë aty, janë të padukshëm. Ndërkohë që kufijtë që kanë penguar deri më sot, bashkimin tonë kanë qenë pikërisht varfëria, mungesa lidhjeve me infrastrukturë, mungesa e bashkëveprimit ekonomik”, tha ai.http://www.ata.gov.al/rama-rilindje-alpeve-193644.html
Një ndalesë të fundit zhvilloi Kryeministri Edi Rama në komunën e Vermoshit, për t’u takuar me banorët atje. Edhe në këtë komunë, Kryeministri ka bashkëbiseduar për zhvillimin e turizmit malor familjar përmes mbështetjes së Qeverisë. /i.vata//a.ke/

-Kryeministri Edi Rama vizitë në Vermosh-
Rama ne VermoshTIRANË, 4 Nëntor/ATSH-Almarina Gegvataj/- “Era e Rilindjes po fryn në Alpe” bën të ditur Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”.
“Kantieri i rrugës së Vermoshit ku bukuria të merr syte dhe braktisja e gjatë frymën”, shkruan Rama teksa e shoqëron edhe me një foto nga Vermoshi ku po zhvillon një vizitë për takime dhe inspektim punimesh.
Vermoshi ndodhet në skajin më verior të Republikës së Shqipërisë, në një distancë prej 95 km nga qyteti i Shkodrës dhe 1 200 metra mbi nivelin e detit.Pasi  udhëton  në një rrugë dramatike dhe spektakolare malore nga Shkodra për në Vermosh, duke kaluar objekte të tilla si qafën e Rrapshit dhe urën e Tamarës mbi lumin e Cemit,  mbërrin në fshat, i cili është ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Vermoshit, apo siç quhet ndryshe lumi i Limit.alpet-theth
Në të dy anët e kësaj lugine që shtrihet  në lartesinë 1.100 metra mbi nivelin e detit,  ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët.
Vermoshi shquhet për panoramën e tij si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit. ktivitetet kryesore të cilat mund të zhvillohen në Vermosh janë ngjitjet malore në malësinë e Marlulës, shëtitjet në luginat e thella alpine, (të Lëpushës dhe Cemit), skitë në shpatet natyrore me dëborë, peshkimi sportiv i troftës, etj. Një aktivitet tjetër janë turet e biçikletave malore.
Hartat e rrugëve të tyre janë përgatitur nga ana e studentëve të universitetit të Shkodrës dhe Podgoricës me mbështetjen e projektit Gjerman, GTZ. Këtë tur e përfshijnë të dy vendet, Shqipëria dhe Mali i Zi. Zona e Vermoshit është e përmendur për cilësinë lartë të bulmetrave. Shquhen më së shumti kullotat në stanet e Seferçës, i cili është edhe skaji më ekstrem verior i Republikës së Shqipërisë./a.g/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate